Kryesore A po bashkëpunon me Berishën? Rama tregon pse ftoi kryebashkiakët e djathtë...

A po bashkëpunon me Berishën? Rama tregon pse ftoi kryebashkiakët e djathtë në mbledhje

Në një kohë kur nga selia rozë, por edhe nga Rithemelimi po flasin për negociata që Kuvendi të kthehet në normalitet, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që të mos e përkufizojë si “marrëveshje”.

Në përfundim të mbledhjes me kryebashkiakët që u zhvillua në Shkodër, Rama tha se ngritja e Komisioneve Hetimore është një e drejtë e opozitës, që nuk është refuzuar asnjëherë, vetëm në rast se nuk shkelnin ligjin. Për sa kohë që kjo do të realizohet, tha Rama, atëherë mazhoranca është shumë dakord.

“Realisht nuk arrij ta kuptoj nëse ata që komentojnë marrëveshjen për ngritjen e komisioneve hetimore nuk kuptojnë, sepse ne e kemi thënë shumë kohë më parë që nuk kemi refuzuar dhe nuk kemi shkelur asnjë të drejtë për ngritjen e komisioneve hetimore, kemi refuzuar që të votojmë iniciativa që në emrin e komision hetimor shkelnin kornizën e mirëpërcaktuar nga vendimet e gjykatës Kushtetuese. Kjo nuk është çështje marrëveshje dhe as negociata, por është çështje e të drejtave, opozita ka të drejtë të ngrenë një komision hetimor, por duhet të jetë brenda kornizës që përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, për sa kohë është e tillë ka miratimin tonë”, tha Rama.

Në rast se nuk ka një dakordësi, Rama tregon se ka një plan “B”, për t’i adresuar propozimet e tyre për Reformën Zgjedhore. Hapi i radhës do jetë Kuvendi, ose do të futen në zgjedhje me Kodin ekzistues zgjedhor.

Në mbledhjen e sotme të zhvilluar në Shkodër ishin të pranishëm dhe 6 kryebashkiakë të opozitës.

Teksa është interpretuar nga disa si një bashkëpunim i kryeministrit Edi Rama dhe Sali Berishës, që ai e quan si “Non Grata”, kreu i qeverisë ka dhënë një përgjigje shumë të qartë.

Ai ka treguar se përse ka zgjedhur që në këtë mbledhje, ftesa t’u shkonte dhe demokratëve.

“Kam parë me kënaqësi që kryetarët e bashkive kanë bërë punën e kryetarit të bashkisë dhe më vjen shumë mirë që janë kryetar bashkie dhe jo altorpalantë të të tjerëve”, përfundoi Rama.