Ilaçi “Dexamethasone” po përdoret edhe në Shqipëri për pacientët e prekur nga COVID-19.
Lajmi konfirmohet nga shefja e Infektivit, Najada Çomo, e cila sqaroi se ky ilaç por përdoret vetëm tek pacientët që kanë insuficiencë respiratore.
“Bari dexamethasone është një bar i përdorur në shërbimin Infektiv dhe vijon të përdoret për personat që kanë insuficiencë respiratore në gjendje të rëndë, pra ajo që në gjuhën mjekësore quhet detresi respirator, që rëndon situatën e këtyre pacientëve”, tha Çomo për “BalkanWeb”.
Efektet e ‘Dexamethasone’ u konfirmuan nga shkencëtarët e Oksfordit, që zbuluan përmes një studimi rrezikut të vdekshmërisë tek personat e intubuar.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) pranoi sot se ky është trajtimi i parë që ul vdekshmërinë te pacientët me koronavirus.
“Ky është trajtimi i parë që shfaq uljen e vdekshmërisë te pacientët me Covid-19, të cilët trajtohen me oksigjen apo me ventilatorë. OBSH-ja do të koordinojë të gjitha analizat e të dhënave, me qëllim që të kemi një kuptim më të qartë të ndikimit të këtij ilaçi. Udhëzimet klinike të OBSH-së do të përditësohen, me qëllim që të tregojnë se si ky ilaç duhet të përdoret për pacientët me Covid-19”, thuhet në deklaratën e OBSH-së.