Analisti Agim Baçi tha se me zgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet e pjesshme Berisha konfirmoi largimin nga PD dhe bashkimin me LSI.
Zgjedhjet e pjesshme sipas tij, do të jenë betejë Basha-Berisha, nga e cila PD rrezikon të humbë edhe Shkodrën.
“Më e rënda është se përmes këtij procesi (primareve) Berisha ka nënkuptuar largimin nga PD dhe bashkimin me LSI, s’kemi më zgjedhje mazhorancë-opozitë, kemi zgjedhje Basha-Berisha. Fatkeqësisht rrezikojmë të humbim edhe Shkodrën. Në ‘96 u vu në dyshim ku shkodranët zgjodhën një kandidat nga e djathta e bashkuar. Se di si do bëjnë këtë radhë që t’i thonë edhe Bashës edhe Berishës: boll se do e zgjedhim vetë përfaqësuesin tonë që të na bashkojë. Për demokratët humbja e Shkodrës është një test shumë u rëndë”, tha analisti për Euronews Albania.
Sipas Baçit, procesi i votimit të kandidatëve të komisionit të rithemelimit nuk mund të quhen primare pasi kandidatët ishin të përcaktuar nga Berisha.
“Ishin një farsë pasi kandidatët janë të përcaktuar siç bën gjithmonë Berisha, s’janë primare. Primaret kanë kuptim kur kandidatët shtrojnë platformat përballë anëtarësisë. Platformë shtroi vetëm Berisha. Primaret nuk ka, ato i ka bërë vetëm Berisha”, tha Baçi.