Kryesore A solli Escobar prova kundër Berishës? Basha: Do t’i dëgjoni nga vetë...

A solli Escobar prova kundër Berishës? Basha: Do t’i dëgjoni nga vetë ai qëndrimet e DASH

Kryetari i Parisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se do të jetë vetë i dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor që do të japë detaje në lidhje me vendimet e Departamentit të Shtetit për personat e shpallur “non grata”.

I pyetur nëse Escobar ka sjellë prova kundër Sali Berishës, që mund t’i paraqesë në organet e drejtësisë, Basha u përgjigj: “Pa diskutim që çështja e pandëshkueshmërisë dhe politikat e sanksioneve për personat “non grata” ishin pjesë e diskutimit, sa i përket çështjeve që i takojnë vendimeve të Departamentit të Shtetit jam i bindur që do të keni mundësinë të dëgjoni nga zoti Escobar qëndrimet e Departamentit të Shtetit”.

Kreu i PD iu përgjigj pozitivisht ftesës së Escobar për të vizituar Uashingtonin. “Është një ftesë e përsëritur, e mirëpres me shumë kënaqësi. Po planifikoj një vizitë në Uashington”.

Basha tha se diskutoi me zyrtarin amerikan për luftën kundër korrupsionit, tashmë të përcaktuar si interes kombëtar i Shteteve të Bashkuara. “Por është edhe më shumë interes kombëtar i Shqipërisë. Është ajo për të cilën PD ka luftuar më shumë në këto 8 vite. Diskutuam për të gjitha çështjet e aktualitetit politik shqiptar. Sigurisht për çështjet në rajon, veçanërisht për Kosovën. Ia bëra të qartë qëndrimin e PD për pacenueshmërinë e integritetit territorial të Kosovës. Diskutuam për ecjen e reformave, kyç mbeten reformat që ka propozuar PD, si vetingu i politikanëve dhe dënimi i politikanëve”, tha Basha.