Nëse ke mbaruar shkollën e lartë, ke më shumë mundësi që të mbetesh i papunë, në krahasim me ata që kanë vetëm arsim 8-9-vjeçar.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se shkalla e papunësisë për personat që kanë mbaruar vetëm 8-9-vjeçaren është më e ulëta nga gjithë të tjerët, si për meshkujt ashtu dhe për femrat.
Për meshkujt me arsim 8-9-vjeçar, norma e papunësisë në fund të tremujorit të tretë 2020 ishte 9.2%, ndërsa për femrat 9.5%. Madje për meshkujt ka pasur një ulje të kësaj norme gjatë kohës së pandemisë, nga 9.4% të regjistruar në tremujorin e tretë 2019. Ndërsa për femrat është rritur ndjeshëm, në krahasim me 7.3%, që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Papunësia më e lartë rezulton tek ata që janë me arsim të mesëm, që për meshkujt është 13.4% dhe për femrat 14.4%.
Edhe arsimi i lartë nuk ndihmon shumë për të gjetur punë, sidomos për femrat. Sipas INSTAT, në fund të tremujorit të tretë 2020, norma e papunësisë te meshkujt me arsim të lartë ishte 11%, ndërsa te femrat kjo përqindje arrin në 13.1%.
Sipas ekspertëve, kjo dukuri ka lidhje me dy faktorë
-Së pari, vendi ka si avantazh konkurrues krahun e lirë të fuqisë punëtore dhe si rrjedhojë, kompanitë prodhojnë dhe eksportojnë kryesisht produkte me vlerë të shtuar të ulët (si p.sh. fasoni) për të cilat nuk nevojitet fuqi punëtore e kualifikuar.
-Së dyti, personat me arsim 8/9-vjeçar janë më pak të angazhuar në tregun e punës, duke pasur një shkallë të lartë inaktivitetit dhe si rrjedhojë ata nuk konsiderohen të papunë. Sipas INSTAT, në rang kombëtar, shkalla e inaktivitetit në vend ishte 41.2% në fund të tremujorit të dytë. Më i lartë ky tregues është për ata që kanë arsim 8/9-vjeçar, me 50%, më pas me arsim të mesëm (37%), ndërsa është shumë më i ulët për ata që kanë mbaruar arsimin e lartë, ku vetëm 24% e tyre kanë zgjedhur të mos punojnë.
Treguesi i papunësisë ndër të arsimuarit shqiptarë tregon se shkolla nuk ka lidhje me tregun e punës.
Sipas INSTAT, rezulton se pjesa më e madhe e të rinjve preferojnë të studiojnë “Shkencat sociale, biznes dhe ligj”, teksa nevojat e tregut në shërbime, bujqësi dhe fason.
Sistemi arsimor dhe tregu i punës prej vitesh janë në një rreth vicioz, teksa bizneset akuzojnë qeverinë se nuk po përgjigjet me sisteme arsimore që i vlejnë tregut të punës. Nga ana tjetër në qarqet universitarë profesorët mendojnë se bizneset shqiptare nuk po zhvillojnë degë të ekonomisë që kërkojnë kualifikim të lartë.
Një pjesë e madhe e studentëve apo të rinjve që mbarojnë shkollën universitetet, sot punojnë në sektorin e call-center.
Mungesa e vendeve të punës me vlerë të shtuar, që kërkojnë angazhimin e profesionistëve dhe paguajnë mirë, vlerësohet si një nga arsyet se pse ka një emigracion të shtuar të njerëzve të aftë. Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) në një raport të vitit 2020 konstatoi se Shqipëria renditej e katërta në botë për rritjen në normën e emigracionit të personave me aftësi të larta në punë për periudhën 2000/2001 deri në 2015/2016. /Monitor