Extra A trashëgohet sjellja kriminale? Çfarë zbuloi studimi mbi binjakët identikë

A trashëgohet sjellja kriminale? Çfarë zbuloi studimi mbi binjakët identikë

Binjakët Kray, të njohur si kriminelët dhe gangsterët Ronald 'Ronnie' Kray dhe Reginald 'Reggie' Kray me pajisje boksi, Londër, MB, rreth 1952

Binjakët Kray, të njohur si kriminelët dhe gangsterët Ronald ‘Ronnie’ Kray dhe Reginald ‘Reggie’ Kray me pajisje boksi, Londër, MB, rreth 1952.

Mëngjesin e 25 shtatorit të vitit 2023, 35-vjeçarja Samantha Jo Petersen ishte duke u kthyer nga puna në shtëpi, kur goditi me makinën saj një karrocë të tërhequr nga kuajt, e cila përdoret zakonisht si një mjet transporti nga pjesëtarët e komunitetit fetar Amish në një rrugë në juglindje të Minesotës.

Në mesin e mbetjeve të karrocës së shpërndara sa andej-këtej, ajo pa trupat e pajetë të 2 fëmijëve. Kur policia mbërriti në vendngjarje, ata i  priti motra binjake identike e Samantha Jo, Sarah Beth Peterson. Ajo u tregoi me shpejtësi mbi aksidentin tragjik. Vetë Samantha ishte larguar.

Pra pa dijeninë e autoriteteve, motrat kishin ndërruar pozicionet, në mënyrë që Samantha të shmangte burgun, teksa atë ditë kishte konsumuar drogë të llojit metamfetaminë. Por mashtrimi u zbulua falë disa dëshmitarëve, që po kalonin me makinë në momentin e aksidentit.

Motrat, të cilat kishin histori të shumta të shkeljes së ligjit edhe para asaj ngjarje, përballen që të dyja me mundësinë e dënimit me shumë vite burg. Por Samantha dhe Sara nuk janë të vetmet binjake identike që kanë bashkëpunuar në një ngjarje kriminale.

Binjakët anglezë Albert dhe Ebenezer Fox, planifikuan dhe kryen të gjitha llojet e mundshme të krimeve në fundin e viteve 1800. Në fakt, ishte kjo dyshe që e nxiti policinë të niste përdorimin e gjurmët e gishtërinjve si një mekanizëm për të identifikuar kriminelët.

Sepse edhe binjakët identikë kanë shenja gishtash unike. Gjatë viteve 1960, vëllezërit binjakë Ronnie dhe Reggie Kray, nisën të bëjnë bujë me aktet e tyre kriminale në Londër, duke kryer vrasje, zjarrvënie dhe grabitje etj. Në korrikun e 2003, binjakët Daniel dhe David DeWild u bënë bashkë për të vrarë gruan e Daniel, pasi ajo kishte paraqitur në gjykatë kërkesën për divorc.

Këta kriminelë binjakë identikë, ngrenë një pyetje intriguese:Nëse njëri binjak përfshihet në akte kriminale, a është i destinuar ta bëjë këtë gjë edhe tjetri? Shkencëtarët e kanë ‘distiluar’ këtë pyetje në një pyetje të ngjashme: A është sjellja kriminale e lidhur me gjenet e personit në fjalë?

Trashëgueshmëria e sjelljes kriminale

Me kalimin e viteve, shkencëtarët i kanë përdorur binjakët identikë dhe jo-identikë, në përpjekje për të gjetur një përgjigje. Përmes asaj që njihet si “metoda binjake” në qarqet e kriminologëve, shkencëtarët krahasuan shkallët e përputhjes së krimit të binjakëve identikë dhe atyre të së njëjtës gjini.

Nëse binjakët identikë, kanë më shumë gjasa se binjakët jo-identikë që të kenë një të kaluar kriminale ose t’i binden ligjit, kjo do të sugjeronte që gjenet luajnë një rol me rëndësi në sjelljen kriminale. Tek e fundit, binjakët identikë janë 100 për qind të ngjashëm gjenetikisht, ndërsa binjakët jo-identikë janë vetëm 50 për qind të ngjashëm.

Studimet që datojnë që nga viti 1930, tregojnë se binjakët identikë kanë më shumë gjasa se binjakët jo-identikë që jenë që të dy si kriminelë apo edhe njerëz që i binden ligjit, duke sugjeruar së paku ekzistencën e një baze gjenetike. Shkencëtarët e atyre studimeve të hershme, mendonin se sjellja kriminale ishte pothuajse tërësisht e trashëgueshme.

Megjithatë, gjetjet e studimeve të tyre duhet të merren me një farë rezerve. Shumë nga këta studiues ishin eugjenistë të vendosur, pra besonin se grupi i gjeneve njerëzore mund të përmirësohej duke kontrolluar se kush mund të riprodhohet dhe kush jo. Shpeshherë ata mbronin sterilizimin e kriminelëve, dhe madje edhe të fëmijëve të shkelësve të ligjit për të ulur shkallën e krimit në të ardhmen.

Disa prej tyre kishin lidhje me nazizmin. Studimet moderne mbi binjakët, të kryera pasi u zbeh interesi mbi eugjeninë, janë përpjekur të zbulojnë se prirja për të shkelur ligjin është rreth 50 për qind e trashëgueshme. Ndërsa gjenet e bëjnë më të prirur një person ndaj kriminalitetit, një rol të rëndësishëm luajnë gjithashtu edhe mjedisi dhe edukimi.

Krahasimi i binjakëve të rritur veçmas

Megjithatë, studiuesi i pavarur Jay Joseph as që e beson këtë tezë. Në një përmbledhje të gjerë studimesh të mëparshme, ai thekson se përdorimi i “metodës së binjakëve” për të shqyrtuar lidhjet gjenetike të sjelljes kriminale nuk ka asnjë vlerë. Argumenti i tij kryesor? Shpesh, binjakët identikë rriten duke qenë më të ngjashëm se binjakët e tjerë.

Për më tepër, binjakët identikë kanë një lidhje sociale më të ngushtë. “Nuk ka asnjë arsye të pranohet se metoda e binjakëve, regjistron ndonjë gjë më shumë se sa ngjashmëria më e madhe mjedisore… Për të mos harruar paragjykimet dhe gabimet metodologjik”- shkroi ai. Sipas mendimit të Joseph, kjo lë vetëm një mënyrë për të përdorur në përcaktimin  nëse sjellja kriminale është ose jo e lidhur me gjenet: Studiuesit duhet të krahasojnë përputhjen kriminale midis binjakëve jo-identikë të rritur veçmas, dhe binjakëve identikë të rritur veçmas.

Një studim i tillë nuk është kryer asnjëherë, por me disa përpjekje mund të realizohet. Gjatë viteve 1979-1990, studiuesit në Universitetin e Minesotës në SHBA, gjurmuan 100 grupe binjakësh që u ndanë që kur isha foshnja dhe u rritën të ndarë.

Ata zbuluan se në përgjithësi në lidhje me personalitetin, temperamentin, interesat profesionale, mënyrën e kalimit të kohës së lirë dhe qëndrimeve sociale, binjakët monozigotikë (identikë) të rritur veçmas, janë pothuajse po aq të ngjashëm sa binjakët monozigotikë të rritur së bashku.

Shkencëtarët nuk e vlerësuan në mënyrë specifike sjelljen kriminale të secilit binjak, por edhe mund ta bënin. Duke marrë parasysh ngjashmëritë e habitshme të subjekteve në personalitet, ka të ngjarë që disa mund të kenë ndarë këtë lidhje të errët. Natyrisht, nuk e tregonin vetë.

Burimi: Big Think