Bota Abramovich merr pjesë në bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë në Stamboll

Abramovich merr pjesë në bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë në Stamboll

Pronari i Chelsea, Roman Abramovich po merr pjesë ditën e sotme në bisedimet e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë.

Abramovich i cili është një nga oligarkët e sanksionuar rusë nga Perëndimi për pushtimin e Ukrainës nga Moska është parë me delegacionet në Stamboll.

Në fotot e transmetuara nga mediat turke, ai shihet i ulur në një tavolinë përkrah Ibrahim Kalin, zëdhënës i Presidentit Erdogan, dhe mban kufje përkthimi.

Vihet re se nuk është në tryezën kryesore të delegacioneve ruse dhe ukrainase.

Pas helmimit që pësuan miliarderi rus Roman Abramovich dhe dy ukrainas pjesë e delegacionit të Ukrainës për bisedimet e paqes me Rusinë në fillimit të Marsit, ministri i Jashtëm i Ukrainës ka paralajmëruar delegacionin që ndodhet sot në Stamboll për të mos konsumuar asgjë.

Dmytro Kuleba i ka thënë palës ukrainase që gjatë bisedimeve me Rusinë mos të hanë dhe mos të pinë asgjë, nga frika e ndonjë helmimi të mundshëm.

“Mundësisht të shmangin prekjen e çdo sipërfaqeje”, ka thënë ministri Kuleba.