Aktualitet Abuzim me dy tendera, SPAK dërgon për gjykim ish-kryetaren e Bashkisë Patos...

Abuzim me dy tendera, SPAK dërgon për gjykim ish-kryetaren e Bashkisë Patos dhe 6 zyrtarë

Tenderët e parregullt për ngritjen e mureve mbrojtëse në akset rrugore të dy fshatrave, i kanë kushtuar shtrenjtë ish-kryetares së bashkisë Patos dhe 6 ish-zyrtarëve që kanë pasur në monitorim procedurën tenderuese apo zbatimin e projektit në terren.

Këtë të hënë SPAK ka dërguar për gjykim dosjen, për të cilën është hetuar ish-kryebashkiakja Rajmonda Balilaj, e cila u shkarkua më 13 mars të këtij viti nga detyra si prefekte e qarkut Fier.

Organi i akuzës në përfundim të hetimeve ka konstatuar se Balilaj dhe zyrtarët në varësi të saj kanë kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, për dy tenderat që konsistonin në ngritjen e mureve në aksin rrugor Dukas-Breg dhe në rrugën e fshatit Rruzhdie.

NJOFTIMI I SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin për gjykim të të pandehurve:

1. Rajmonda Balilaj (në kohën e kryerjes së veprës penale, me detyrë ish Kryetare e Bashkisë Patos);

2. Anisa Petani (në kohën e kryerjes së veprës penale, më detyrë Nënkryetare e Bashkisë Patos dhe anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave);

3. Shkëlqim Beqiraj, (në kohën e kryerjes së veprës penale, më detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Patos dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave)

4. Enirjada Rizaj (në kohën e kryerjes së veprës penale, më detyrë anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave);

Të katërt, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (përpara ndryshimeve me ligjin Nr.43/2021), e 25, i Kodit Penal, e kryer dy herë, në procedurat e prokurimit “Ndërtim emergjent i murit mbajtës me gabiona dhe gurë në Dukas-Breg, si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe kthimin e rrugës në gjendjen e mëparshme”, me numër REF-89301-03-08-2021, me Autoritet Kontraktor Bashkia Patos dhe procedurën e prokurimit “Ndërtim emergjent i murit mbajtës në trupin e rrugës në fshatin Ruzhdie, si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe kthimin e rrugës në gjendjen e mëparshme”, me numër reference REF-86952-02-12-2021, me Autoritet Kontraktor Bashkia Patos;

5. Vangjel Nushi (në kohën e kryerjes së veprës penale, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Monitorimit dhe Shërbimeve Publike, pranë Bashkisë Patos), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2, i Kodit Penal.

6. Arben Manoku (në kohën e kryerjes së veprës penale, me detyrë Inxhinier Projektues në zyrën e projekteve pranë Bashkisë Patos), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2, i Kodit Penal.

7. Boreta Murati (në kohën e kryerjes së veprës penale, me detyrë Specialiste në Drejtorinë e Urbanistikës Bashkia Patos), akuzuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.

Faktet penale të hetuara në kuadër të këtij procedimi penal, kanë të bëjnë me dy procedura prokurimi të organizuara në vitin 2021, nga Bashkia Patos si Autoritet Kontraktor dhe më konkretisht:

I. Hetimi i procedurës së prokurimit “Ndërtim emergjent i murit mbajtës me gabiona dhe gurë në Dukas-Breg, si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe kthimin e rrugës në gjendjen e mëparshme”, me numër REF-89301-03-08-2021, me Autoritet Kontraktor-Bashkia Patos me fond limit 6,758,853.92 lekë.

E pandehura Rajmonda Balilaj, (ish kryetarja e Bashkisë Patos) dhe anëtarët e KVO-së, të pandehurit Anisa Petani, Shkëlqim Beqiraj dhe Enirjada Rizaj, në bashkëpunim mes tyre, kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 258, (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021 ) e 25, i Kodit Penal, duke favorizuar në kundërshtim me ligjin dhe shpallur fitues operatorin ekonomik “Genti 001”, në procedurën e prokurimit “Ndërtim emergjent i murit mbajtës me gabiona dhe gurë në Dukas-Breg, si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe kthimin e rrugës në gjendjen e mëparshme”, me numër REF-89301-03-08-2021. Nga dokumentacioni i dorëzuar nga ofertuesit e parë, kjo në raport me kriteret e vendosura në Dokumentet Standarte të Tenderit , duhej të ishte shpallur fitues operatori ekonomik “2…”, i cili përveçse përmbushte kushtet, kishte dhe ofertë në vlerën 1,5 milion lekë më të vogël se operatori “Genti 001”.

E pandehura Rajmonda Balilaj, ka ndërmarrë një sërë hapash nëpërmjet punonjësve të Bashkisë, për të legjitimuar anulimin e procedurës së tenderimit, pikërisht për të mos u shpallur fitues operatori “2…..”, gjë që do të nxirrte zbuluar punimet e kryera nga operatori i paracaktuar për të fituar garën. Nga hetimi u provua se, e pandehura ka paracaktuar fituesin e këtij tenderi, pikërisht operatorin “Genti 001”, i cili është shpallur fitues (që nga viti 2019, kur ky subjekt është regjistruar për herë të parë në QKB, deri në vitin 2022, pra për tre vjet), në 32 procedura të organizuara nga Bashkia Patos.

– Kurse anëtarët e grupit të punës të ngarkuar nga ish Kryetarja e Bashkisë, me anë të urdhrit Nr.27, datë 08.04.2021, të pandehurit Vangjel Nushi, Boreta Murati dhe Arben Manoku, kanë përgatitur raportin teknik inspektimi Nr.997/2 Prot., datë 08.04.2021, ku kanë dalë në mënyrë unanime, në konkluzionin si më poshtë: “Pavarësisht se nuk është mbajtur dokumentacioni i nevojshëm për ndërtimin e mureve mbajtëse, muret mbajtëse të ndërtuara kanë shërbyer për pengimin e avancimit të shkarjes së dheut. Grupi i punës është i mendimit që kthimi i terrenit në gjendjen e mëparshme do të sillte pasoja dhe ngjarje të papritura në këtë shkarje dhe nuk do të rekomandonte bërjen e këtyre punimeve. Kostoja e kthimit në gjendjen e mëparshme dhe ribërja e të njëjtave punime do të ishte e rrezikshme. Për pjesën e paasfaltuar të rrugës dhe të kanalit në anën e sipërme grupi i punës rekomandon një periudhe monitorimi të situatës në vend për të parë rezultatet e qëndrueshmërisë së ndërtimit të këtyre mureve mbajtëse. Rekomandojmë edhe monitorimin e prurjeve të ujërave nëntokësore dhe hartimin e një projekti për largimin e tyre nga ky plan shkarjeje”.

Këta të pandehur, kanë konsumuar elementët e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2, i Kodit Penal, pasi kanë paraqitur rrethana të rreme në këto konkluzione të cilat rrëzohen nga akti i ekspertimit të kryer nga Prokuroria e Posaçme dhe po ashtu nga deklarimet e shtetasit e I. D.

II. Hetimi i procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtim emergjent i murit mbajtës në trupin e rrugës në fshatin Ruzhdie, si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe kthimin e rrugës në gjendjen e mëparshme”, me numër reference REF-86952-02-12-2021, me Autoritet Kontraktor Bashkia Patos, në vlerën 8,634,380.435 (tetë milion e gjashtëqindetridhjetëekatër mijë e treqindetetëdhjetë pikë katërqindetridhjetepesë ) lekë.

Nga analizimi i provave ka rezultuar se, e pandehura Rajmonda Balilaj, në bashkëpunim me anëtarët e KVO -së, të pandehurit Anisa Petani, Shkëlqim Beqiraj dhe Enirjada Rizaj, kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 (përpara ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021 ) e 25, i Kodit Penal, duke favorizuar në kundërshtim me ligjin dhe shpallur fitues operatorin ekonomik “Genti 001”, në procedurën “Ndërtim emergjent i murit mbajtës në trupin e rrugës në fshatin Ruzhdie si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe kthimin e rrugës në gjendjen e mëparshme”, me numër reference REF-86952-02-12-2021, dhe praktika e ndjekjes së punimeve dhe praktika e marrjes në dorëzim të objektit.

Në këtë procedurë prokurimi, me Autoritet Kontraktor Bashkia Patos, e pandehura Rajmonda Balilaj, ka paracaktuar fituesin, i cili është i njëjti operator “Genti 001”, duke dalë në “Apollon TV” dhe informuar fillimin e punimeve për këtë rrugë, në datën 06.02.2021, në një kohë kur shpallja e fituesit “Genti 001”, është bërë në datën 15.02.2021, dhe lidhja e kontratës me autoritetin kontraktor është bërë në datën 16.02.2021.

E pandehura Rajmonda Balilaj, ka bashkëpunuar me anëtarët e KVO-së të caktuar prej saj në urdhërin përkatës, të pandehurit Anisa Petani, Shkëlqim Beqiraj dhe Enirjada Rizaj, pasi ajo nuk kishte nga ta dinte se ky operator do të kualifikohej si fitues edhe pse ishte i vetmi garues në garë.

Në këtë mënyrë nga tërësia e elementëve objektive dalin edhe ato subjektive, pra bashkëpunimi i saj me anëtarët e KVO-së, pasi edhe këta të fundit kanë shpallur fitues operatorin “Genti 001”, edhe pse nga hetimi ka rezultuar se ky operator nuk i plotësonte të gjitha kriteret dhe dokumentacionin sipas DST dhe duhej skualifikuar.