Politika Abuzimi me fondet e IPARD, PS rrëzon kërkesën e opozitës/ Bardhi pyet...

Abuzimi me fondet e IPARD, PS rrëzon kërkesën e opozitës/ Bardhi pyet mazhorancën: Doni t’i zhbllokoni 112 mln euro të fermerëve?

Opozita kërkoi në Kuvend një mocion me debat për fondet e bujqësisë, por Partia Socialiste e rrëzoi këtë kërkesë me pretendimin që ende nuk është bërë i ditur dokumenti zyrtar për këtë çështje.

“Nuk po propozoj datë. Por, po them deri në daljen e një dokumenti zyrtar nuk mund ta zhvillojmë mocionin. Nuk ka dalë raporti, është konfindencial”, tha kryeparlamentarja Lindita Nikolla.

Ndërkohë, Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, reagoi ashpër dhe lëshoi akuza për Nikollën se po shkelte rregulloren e Kuvendit.

Bardhi ka akuzuar qeverinë pas raportit të OLAF-it për abuzimet me fondet e BE-së. Nga foltorja e kuvendit ai tha se raporti tregon që BE ka pezulluar fondet prej 112 milionë eurosh në ndihmë të fermerëve shqiptarë fermerëve derisa të merren masa për të mbrojtur interesat financiare të BE.

“Ka një raport që deklaron se ka informuar autoritetet përgjegjëse e institucionet e drejtësisë mbi raportin e OLAF sa i takon abuzimeve në fondin e Bujqësisë. Nuk e di çfarë më shumë zyrtare kërkoni ju. Nëse nuk jua kanë sjellë do të thotë që autoritete e BE nuk kanë besim te ju se e kanë përfunduar dhe e kanë dërguar tek institucionet përgjegjëse. Nëse Ministrinë e Bujqësisë e kanë shpallur skenë krimi mund të mos ia kenë vënë në dispozicion, por mendoj që raportin e OLAF e kanë vënë në dispozicion të Ministrisë së Bujqësisë. E kanë shpallur skenë krimi dhe mesa duket nuk kanë një përgjigje nëse e kanë apo jo raportin. Dhe mocioni me debat i PD bazohet në njoftim zyrtar të zyrës kundër mashtrimit në BE. Asnjë e dhënë për kërkesën e mocionit me debat nuk është as thashethem, as aludim, por dokumenti zyrtar që vetë ky mekanizëm ka bërë publik. Në këtë raport theksohet se pas hetimit të rasteve të denoncuara është vërejtur që nga RSH, institucionet përgjegjëse, është abuzuar me fondet IPARD në vlerën 33 milionë euro dhe konsiderohet i papërshtatshëm dhe i sugjerohet KE-së të pezullojë dhënien e fondit të IPARD-it të ri në vlerën e 112 milionë eurove, para që do të duhet të shkonin në ndihmë të fermerëve, derisa të merren masa për të mbrojtur interesat financiare të BE”.

Bardhi theksoi se opozita i shtriu dorën mazhorancës për të zhbllokuar fondet nga të cilat përftojnë fermerët, por sipas tij konferenca e kryetarëve refuzoi kërkesën.

“Me vullnetin e mirë opozita i shtriu dorën mazhorancës jo qeverisë se qeveria është shpallur skenë krimi që të bëhemi bashkë të analizojmë gjetjet e OLAF dhe të miratojmë çdo masë ligjore në funksion të zhbllokimit të fondeve që do të duhet të përfitojnë fermerët. Nëse do e kishim këtë çështje vetëm për politikë do kishim drejtuar vetëm gishtin pa ofruar asnjë kontribut. Ne jemi në sallë për interes të qytetarëve dhe të zhbllokojmë këto fonde. Nuk ka procedurë që konferenca e kryetarëve mund të refuzojë kërkesën me mocion me debat. As kryetari i Kuvendit e as konferenca e kryetarëve nuk kanë kompetencë për të vënë në diskutim për kërkesë për mocion me debat. Pyetja që kam unë për ju është: Doni ti mbani të bllokuara fondet e IPARD? Janë 112 milionë euro në dispozicion të autoriteteve shqiptare për t’ia vënë në dispozicion fermerëve. Ku është e keqja e opozitës në këtë rast?”