“Abuzimi me pushtetin” është libri i ri i ish-kryeministres britanike Theresa May, që po i shqetëson jo pak konservatorët javët e fundit.
“Ajo e përshkruan shumë lirshëm se si është gërryer besimi tek politikanët dhe institucionet publike”, thotë për The New European një burim në Westminster.
Libri nuk ka dalë ende nga shtypi, por koha (në shtator) kur do të jetë në duart e lexuesve është një moment aspak i mirë për konservatorët.
Qeveria nuk është në pozitën më të fortë tani, dhe, me librin që del pak përpara konferencës së partisë, perspektiva e një shpërthimi tjetër nga ‘mali’ Tereza është gjëja e fundit që i duhet partisë së saj.
Libri ndalet në tragjedinë e stadiumit Hillsborough dhe kullës Grenfell, korruptimin e policisë në rastin e vrasjes së detektivit Daniel Morgan dhe, më shqetësuesja nga të gjitha për sa i përket menaxherëve të partisë së saj, helmimin e Sergei dhe Yulia Skripal në Salisbury, rasti që lidhet me ndërhyrjen ruse në politikën britanike dhe potencialisht rublat që ka marrë partia e saj si dhe marrëdhënia e Boris Johnson me Lordin Lebedev.
May nuk i kursen kritikat për pasardhësit Boris Johnson, Liz Truss dhe Rishi Sunak. Kundërshtare e ashpër e projektligjit për migrantët e paligjshëm, May shprehet në libër se që të tre ish-kryeministrat mund të akuzohen në mënyrë të arsyeshme për abuzim me pushtetin e tyre në mënyra të ndryshme gjatë kohës që ishin në detyrë.
Që nga koha kur la detyrën, May ka mbajtur fjalime në evente të ndryshme, duke grumbulluar rreth 2 milionë stërlina. Libri i saj do të botohet nga Headline. “Abuzimi me pushtetin” del në treg në shtator dhe për të, May deri tani ka marrë dy pagesa paradhënie prej 20 500 paund.