Gjatë 24 orëve të fundit janë proceduar penalisht 3 administratorë subjektesh dhe janë ndëshkuar me masë administrative 9 të tjerë, pasi kanë abuzuar me çmimet e produkteve ushqimore dhe fruta-perimeve, fshehjen e të ardhurave dhe punësimin e paligjshëm.
Në Tiranë janë ndëshkuar me 50.000 lekë gjobë 7 administratorë. Bëhet fjalë për shtetasit J. P., K. B., M. Xh., K. S., P. C., M. A. dhe G. P., pasi në tregun agroushqimor, në minimarketet dhe marketet në pronësi të këtyre shtetasve janë konstatuar raste të abuzimit me listën e çmimeve, si dhe moslëshim i kuptonit tatimor.
Po ashtu, në Tiranë u procedua penalisht shtetasi P. Ç. për mospagim takash dhe tatimesh, si dhe fshehje të ardhurash, pasi në farmacinë e tij tregtonte medikamente pa kupon tatimor.
Nga ana tjetër, në Vlorë u gjobitën me 50.000 lekë secili shtetasit M. I. dhe A. A., pasi në subjektet e këtyre shtetasve u konstatua se nuk lëshohej kupon tatimor. Po në këtë qytet, u proceduan penalisht M. Xh., pasi është konstatuar duke ushtruar aktivitet tregtar të padeklaruar në institucionet përkatëse dhe shtetasi E. Gj., pasi u konstatua se ushtronte aktivitetin tregtar në mënyrë të parregullt.