Emmanuel Adebayor pranon se “lojtarë si Cristiano Ronaldo i vijnë futbollit çdo 200 vite, ndërsa Real Madridi bëri gabim që besoi se mund t’i gjente atij një zëvendësues të përshtatshëm”. “Me largimin e Cristiano, Real Madridi e di se çfarë ka humbur, por ndoshta jo atë që mund të kishte fituar, nëse ai do të ishte akoma atje, – tha Adebayor për “AS”, i cili u huazua në “Bernabeu” më 2011. – Personalisht mendoj se ndoshta kanë menduar se do të marrin një lojtar tjetër si Ronaldo, por yje si ai vijnë vetëm një herë në 200 vite”.
Karim Benzema është në mesin e atyre që janë ngarkuar me detyrën e mbushjes së boshllëkut të lënë nga Ronaldo. Sulmuesi francez ka shënuar 56 gola në dy sezonet e fundit: “Kur Ronaldo u largua, Karim duhej ta merrte përgjegjësinë dhe unë mendoj se ka bërë me të vërtetë mirë. Ai ka shënuar shumë gola, gola të rëndësishëm, kështu që do të jetë një rrezik për Manchester City në Champions, pa dyshim”. Të bardhët do të kërkojnë të përmbysin disavantazhin 2-1 në sfidën e kthimit të 1/8 finale të Champions-it.
“Real Madridi do të ishte favorit me Cristianon, – shton Adebayor. – Në atë kohë, kur e kishte Ronaldon në përbërje, skuadra madrilene ishte një makinë golash. Ai mund të bëjë ndryshimin në çdo moment, do t’i jepte Realit 50 gola në sezon. Ata humbën ndeshjen e parë në shtëpi, në “Bernabeu”, ndaj do të jetë shumë e vështirë kundër Manchester City, qytetit, motit…, por jo e pamundur. Real Madridi ka lojtarë me shumë përvojë si Marcelo, Benzema, Courtois. Ata janë mësuar të luajnë në ndeshje të mëdha si kjo”.