Sport Adidas ndalon shitjen e fanellës me numër 44 të Gjermanisë, ngjan me...

Adidas ndalon shitjen e fanellës me numër 44 të Gjermanisë, ngjan me siglën naziste

Adidas, sponsori historik i kombëtares gjermane ka bllokuar shitjen online të fanellës së Gjermanisë me numër 44, sepse sjell në kujtesë simbolin e Schutzstaffel, e njohur gjerësisht si SS, organizata paraushtarake e Partisë Nacionalsocialiste Gjermane.

Lajmi bëhet i ditur nga ‘Bild’, që sjell deklaratat e Oliver Brugen, zëdhënës i markës së njohur sportive. Ai shpjegon se ngjashmëria mes numrit 4 dhe S-së së ‘SS’ nuk ishte absolutisht e qëllimshme.

Me një postim të publikuar në ‘X’, DFB (Federata Gjermane e Futbollit) pohon se dizajni i fanellave ishte prezantuar dhe vlerësuar edhe nga UEFA dhe që “asnjë nga palët e përfshira nuk kishte dalluar asnjë ngjashmëri me simbolet naziste”.

Federata ka siguruar se “do të ketë një dizajn alternativ për numrin 4 bashkë me ‘11teamsports’”.

Problemin e ngriti i pari historiani gjerman, Michael König, duke evidentuar përafërsinë e karakterit të numrit 4 me simbolin e SS. Më pas shpërtheu debati në Gjermani, që solli edhe vendimin drastik për të hequr nga tregu fanellën me numër 44.

E projektuar në vitin 1929, “SS” është bërë sinonim i disa prej krimeve më të rënda ndaj njerëzimit që janë kryer nga nazistët. Anëtarët e SS ishin përgjegjës për ruajtjen e kampeve të përqendrimit, marrjen në pyetje të “tradhtarëve” dhe drejtimin e kampeve të shfarosjes si Aushvici, ku u vranë më shumë se një milion njerëz.

Kampionati Europian i Futbollit këtë vit do të zhvillohet në Gjermani, ku ndeshjet do të zhvillohen në 10 qytete të ndryshme. Gara do të nisë më 14 qershor, kur mikpritësit do të përballen me Skocinë.