Aktualitet Adjola Lakra do të qëndrojë në burg

Adjola Lakra do të qëndrojë në burg

Arrest me burg ka dhënë Gjykata e Tiranës për 26-vjeçaren Adjola Lakra, e dyshuar si bashkëpunëtore në vrasjen e Hekuran Billës, mbrëmjen e 11 Qershorit.

Avokati i saj, në një prononcim për mediat pas dhënies së masës së sigurisë, mohoi përfshirjen e 26-vjeçares në këtë ngjarje dhe tha se provat e vetme që ka prokuroria janë deklarimet e saj.

“Të vetmet prova që ka prokuroria janë deklarimet e saj të sinqerta, që nuk ka pasur dijeni për rastin, nuk ka qenë në dijeni që kishte një gjakmarrje dhe nuk ka telefonuar ajo ditën e ngjarjes. Është telefonuar, por nuk ka mundur të shkojë”, tha avokati.

I pyetur nëse ajo është paguar për të ndihmuar në ekzekutimin e Billës, avokati u shpreh: “Ju garantoj që në asnjë moment as e ka ditur, as është paguar, e as nuk ka marrë një shumë parash”.

Hetuesit kanë dyshime se e reja prej një viti ka qenë e dashura e Billës, ndërsa ditën e ngjarjes ka komunikuar në telefon me viktimën dhe ka lënë takim në vendin ku ndodhi edhe vrasja, duke shtuar dyshimet se ajo është përdorur për ta nxjerrë në pritë 40-vjeçarin.

Sipas hetuesve ka qenë pikërisht Adjola Lakra që ka njoftuar edhe Sebastian Malin, i cili mendohet se së bashku me Viktor Markun, dajën e tij, organizuan vrasjen.