Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u shpreh se aeroporti Kukësit “Zayed – Flatrat e Veriut” është gati për fluturimin e parë.
Balluku u shpreh se ky aeroport do t’i shërbejë të gjithë trevave shqiptare.
“Aeroporti po bëhet realitet dhe jemi vetëm pak orë larg nga fluturimi i parë. Kemi plan të qartë të bazuar mbi studime edhe pse ngrihen pyetje nëse Shqipëria ka nevojë për këtë aeroport. Ky është aeroport low cost”. Do t’i shërbejë të gjithë trevave shqiptare. Do të ofrojë çmime kompetitive”, tha Balluku.
Balluku u shpreh se avioni i parë do të ulet të dielën. “Çunat e Londrës do të priten nga kryeministri Rama”, u shpreh ministrja.
Ministrja sqaroi se ky fluturim do të realizohet të dielën dhe pagesa është kryer nga kompania që ka në koncesion aeroportin.
“Është koncensionari që ka komisionuar këtë fluturim. Është çmim promocional nuk është paguar biletë. Më rezulton që ‘çunat e Londrës’ janë tashmë të rezervuar dhe në datë 18, ulen këtu dhe i pret kryeministri siç i ka premtuar. Ky është aeroport i ndërtuar sipas kritereve të aviacionit civil europian dhe atij ndërkombëtar. Jemi duke përfunduar detajet e fundit”, tha Balluku.
Ministrja u shpreh se nga aeroporti i Kukësit do të kryhen udhëtime, fillimisht drejt disa qyteteve zviceriane, në Gjermani, dhe qytete Italiane. Pas datës 18, Balluku tha se fokusi i MIE do të jetë ndërtimi i aeroportit të Vlorës.