Çmimet e biletave në Aeroportin e Vlorës do të jenë më të ulëta se në Rinas.
Qeveria ka dërguar në Kuvend projektligjin që përcakton procedurën e negociatave me kompanitë turke për ndërtimin e aeroportit.
Në relacioni shoqërues të projekligjit zbulohet se shoqëritë turke kanë propozuar tarifa më të lira fluturime nga ato që janë aktualisht.
“Nga një shqyrtim paraprak i propozimit të shoqërive konstatohet se tarifat që propozohen të aplikohen në këtë aeroport do të jenë më të lira se ato që aplikohen nga TIA (Aeroporti i Tiranës)“,thuhet në raport.
Sipas relacionit, struktura e saktë e tarifave do të përcaktohen në diskutimet e mëtejshme mes konsorciumit turk dhe komisionit ndërinstitucional të negocimit mes ministrisë së infrastrukturës dhe asaj të energjisë.
Qeveria thotë se qëllimi kryesor i negociatave do të jetë nënshkrimi i një kontrate që ka ndikim minimal në buxhetin e shtetit.
Sipas projektit paraprak, tre kompanitë turke do të investojnë 100 milionë euro për ndërtimin e aeroportit.
Në këmbim ato do të kenë menaxhimin e tij për një periudhë disavjeçare dhe një fitim dysheme të garantuar, i cili nëse nuk arrihet nga të ardhurat e fluturimeve do të paguhet nga buxheti i shtetit.
Sipas relacionit të projektligjit, qeveria parashikon që përmes aeroportit të Vlorës të transportohen 80 për qind e turistëve ndërkombëtarë, që vijnë për pushime në jugun e Shqipërisë, çka do ta bënte atë një aeroport më të madh edhe sa Rinasi.