SPAK ka publikuar detaje nga dosja e hetimit të inceneratorit të Fierit për të cilën kërkon edhe arrestimin e deputetit aktual Alqi Bllako.
Sipas SPAK, 146 milionë lekë i janë dhënë ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka për të favorizuar kompaninë fituese. Ndërsa Alqi Bllako në ka përfituar në mënyrë të paligjshme 14,964,900 lekë.
Letfer Koka
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka pas arrestimit për abuzimet me inceneratorin e Elbasanit, rezulton i përfshirë në abuzim detyre dhe korrupsion edhe për inceneratorin e Fierit.
Ish-deputetit të Partisë Socialiste i është komunikuar masa e arrestit me burg ndërsa ndodhet në qeli, i akuzuar për përfitim në mënyrë të paligjshme të miliona euro për inceneratorin e Elbasanit.
Nga hetimet e SPAK për inceneratorin e Fierit, rezulton se Koka në cilësinë e ministrit të Mjedisit ka miratuar dhënien e koncesionit në shkelje të ligjit për koncesionet dhe partneritetin publik privat.
Sipas SPAK, Koka dhe zyrtarë të tjerë të ministrisë kanë kryer falsifikuar dokumentacionin për shpronësimin e tokës ku do të ndërtohej inceneratori.
Nga ndryshimi i cilësimit nga ‘tokë arë’ në ‘tokë truall’, zyrtarët i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 16 milionë lekë.
Këto para i kanë kaluar shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier’, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë Kokës, në cilësinë e ish-ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë në zhvillimin e procedurës së dhënies së koncesionit.
Koka ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëria e koncesionit, përfitime të parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë koncesionare, duke përdorur disa shoqëri të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij dhe prej personave familjarë të tij.
Marrja e përfitimeve është realizuar nëpërmjet skemës fiktive të kryerjes së punimeve dhe të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare që vjen nga korrupsioni.
Me kërkesë të SPAK, gjykata ka vendosur sekuestro për 4 pasuri të paluajtshme në zotërim të Lefter Kokës. Këto pasuri kanë një vlerë ekuivalente që përmbush vlerën e përfituar në mënyrë të paligjshme në shumën 146 milionë lekë.
Akuza për Alqi Bllakon
Deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako akuzohet nga SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre. SPAK do t’i paraqesë Kuvendit dhënie të autorizimit për arrestimin e tij pasi dyshohet i përfshirë në aferën me koncesionin e inceneratorit të Fierit.
Gjatë procedurave të shpronësimit të tokës ku do të ndërtohej inceneratori i Fierit, Bllako në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe Kryetarit të Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi kanë falsifikuar dokumentet duke e cilësuar tokën arë si tokë truall për të rritur vlerën e dëmshpërblimit.
Me vendim qeverie, shteti ka paguar 46 299 060 lekë për shpronësimin e tokës ku u ndërtua inceneratori i Fierit. Si rrjedhojë, ka rezultuar një dëm ekonomik në buxhetin e shtetit në vlerën 16 288.344 lekë.
Nga hetimet e SPAK kanë rezultuar të dhëna se deputeti Bllako, kur ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellësit, ka favorizuar shoqërinë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 lekë.
Me vendim gjykate është vendosur në sekuestro një apartament në Tiranë me vlerë sipas kontratës shitblerjes në shumën 144,246 Euro që përmbush vlerën ekuivalente të përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Alqi Bllako në shumën 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind)lekë.