Si një nga vendet që ka mirëpritur shtetasit afganë të larguar nga shteti i tyre, Shqipëria po ndihmohet në këtë proces nga organizata të ndryshme dhe persona të caktuar.
Kështu është shprehur Kryeministri Edi Rama në një intervistë për BBC, ku tha se nuk ka vende të pasura të cilat ndihmojnë në këtë proces.
Por sipas tij, ka persona me zemër të pasur që po kontribuojnë për të ndihmuar afganët e larguar nga vendi. E në këtë aspekt, Kryeministri solli në vëmendje shprehjen shqiptare “Bukë, kripë e zemër”.
“30 vjet më parë ishim ne afganët. Jemi shumë të prirur ta bëjmë këtë sepse kjo nderon traditën tonë, na nderon neve. E përsëris, ne nuk jemi vend i pasur, por jam besimplotë se kemi mjaftueshëm për të ndarë me këta njerëz dhe se do të jemi së bashku. Natyrisht nuk jemi të vetëm, ka shumë organizata që po kujdesen për ta e që kanë bërë përpjekje për t’i nxjerrë prej vendit të tyre. Ne për momentin po mbështetemi tek bashkëpunimi me njerëzit që kanë zemër të pasur. Mesa duket është një numër i konsiderueshëm njerëzish nga SHBA, Britania dhe vende të tjera që e kanë zemrën të pasur. Kemi një thënie në Shqipëri; bukë, kripë e zemër që është thelbi i solidaritetit. Për pjesën tjetër do t’ja dalim, sepse refugjatë që po përpiqen t’i ikin vdekjes po trokasin në dyert tona. Mësuam se në këtë jetë kujtesa është shumë e rëndësishme, e ndoshta të qenit shumë të pasur do të thotë të humbasësh edhe një pjesë të kujtesës”.
I pyetur nga gazetari i BBC, Ben Boulos, se çfarë i thanë afganët e mbërritur në Shqipëri, kryeministri Rama u shpreh: “Sinqerisht ishin të lodhur, dukeshin sikur kishin dalë nga një tunel ferri, thanë vetëm pak fjalë falenderimi. Ne jemi aty t’u themi se mund ta ndjejnë veten si në shtëpi. Është një moment mjaft përmbushës për vendin tonë, por mendoj që shumica e shqiptarëve po dëshmojnë se janë të jashtëzakonshëm”.