Nga Ben Blushi
Këta djem afganë po luanin cricket dje në Shëngjin.
Deri më sot, ndoshta kjo lojë, ishte e vetmja që nuk ishte aplikuar kurrë në vendin tonë. Cricket, në fakt, nuk është sport i përhapur në Evropë me përjashtim të Anglisë, ku dhe është krijuar në shekullin e 16.
Që atëherë kjo lojë, që luhet me dy skuadra, secila nga 11 vetë, me një top dhe me shkopa, ka udhëtuar kryesisht në vendet e Commonwealth-it, pra të Kurorës Britanike. Në Indi, Pakistan, Afganistan, Australi, etj cricket është një sport kombëtar.
Pas 5 shekujsh udhëtim nëpër botë, cricket mbërriti dhe në Shqipëri i veshur me fustan tradicional afgan. Këta djem i kanë ikur rregjimit të talebanëve dhe që nga gushti i vjetshëm dhe strehohen përkohësisht në Shëngjin bashkë me disa qindra burra e gra dhe fëmijë të tjerë. Dje, kur i fotografova, dukeshin aq te natyrshëm si lojtarë,aq të integruar si njerëz të lirë, aq të përshtatur si refugjatë dhe po aq të qeshur si myslimanë që po luanin cricket në oborrin e Kishës së Shëngjinit.
A nuk është fantastike, myslimanë afganë luajnë cricket në oborrin e një kishe në Shqipëri!
Në kontekstin e luftës ku jetojmë, paqja dhe harmonia e kësaj fotoje duket si e bërë në një kohë tjetër që na mungon.
Kurdo që të ndodhë, ikja e këtyre afganëve nga Shqipëria,do jetë një datë si gjithë të tjerat, por ardhja e tyre bashkë me lojën e dytë më popullore në botë, ndoshta do mbahet mend.