Situata e krijuar në ditët e fundit në Afganistan, ku talebanët kanë marrë kontrollin e vendit dhe presidenti Ghani u largua nga vendi, ka detyruar Këshillin e Sigurisë në OKB të mbajë një takim emergjent.
Gjatë fjalës së tij, sekretari i përgjithshëm, Antonio Guterres iu bëri thirrje talebanëve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të mbrojnë jetët e civilëve të pafajshëm dhe premtoi se OKB nuk do t’i braktisë afganët në këto momente të vështira.
Sipas Guterres, ka raportime të shumta se në Afganistan janë evidentuar shkelje të theksuara të të drejtave të njeriut.
“Jam i shqetësuar në mënyrë të veçantë për shkeljen e të drejtave nga grave dhe vajzave në Afganistan. Ne nuk mund t’i braktisim afganët në këto momente”, tha sekretari.
Ai shtoi se “ditët e ardhshme do të jenë vendimtare. Bota po shikon. Ne nuk duhet dhe nuk mund t’i braktisim njerëzit në Afganistan”, ndërsa mijëra njerëz po përpiqen dëshpërimisht të ikin nga vendi.
Guterres i bëri thirrje këshillit që të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion të ushtrojnë presion për të shtypur kërcënimin terrorist në Afganistan dhe kërkoi nga vendet që të pranojnë refugjatët afganë.