James Rodriguez ka disa ditë që ka pushtuar mediet gjermane. Fillimisht spekulimet për kalimin e tij te Bayern München, më pas zyrtarizimi, deklaratat e para, prezantimi, dita e parë e stërvitjes dhe vlerësimet e ndryshme.
Shkurt: ai është njeriu i javës në Gjermani!
I huazuar për dy vite në Mynih (me opsionin e blerjes), kolumbiani padiskutim që është emri më i bujshëm i Bundesligës në këtë merkato vere.
Ai njihet si një lojtar me aftësi të rralla me topin, por jo vetëm kaq. Gazeta “TZ” zbulon edhe një detaj që nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me futbollin.
Ai ka “rreze X”
Sipas së përditshmes bavareze, Rodriguez sheh më mirë se njerëzit normalë.
Po, dhe mos qeshni, sepse kjo ka një shpjegim shkencor!
Mesfushori duket se ka një fushë periferike më të madhe të shikimit, që e lejon të shohë më shumë.
Pra, kur ai e përqendron syrin te një pikë e caktuar, zona përreth saj është më e madhe. Kjo bën që ai t’i “kapë” më kollaj lëvizjet e kundërshtarëve dhe t’i gjejë më mirë hapësirat në fushë.