Komiteti i sigurisë në agjensinë europiane të barnave ka rekomanduar përditësimin e informacionit për të gjitha ilaçet që përmbajnë klorokinë ose hidroksiklorokinë pasi efektet e tyre anësore rrisin rrezikun e çrregullimeve psikiatrike dhe sjelljes vetëvrasëse.
Hetimi i të dhënave filloi në muajin maj të këtij viti pasi Agjencia Spanjolle e Barnave raportoi gjashtë raste të çrregullimeve mendore tek pacientët me COVID-19 të cilëve iu ishte dhënë doza më e lartë se ajo e autorizuar e hidroksiklorokinës.
Klorokina dhe hidroksiklorokina janë të autorizuara në BE për trajtimin e sëmundjeve të caktuara autoimmune, por nuk janë të autorizuara për trajtimin e COVID-19. Gjithsesi të dy ilaçet janë përdorur si trajtim tek pacientët me koronavirus.
Edhe në muajt prill-maj, Agjensia europaine e barnave paralajmëroi profesionistët e kujdesit shëndetësor mbi rreziqet e këtyre ilaçeve sidomos për çrregullimet psikiatrike. Studimi tregoi se për hidroksiklorokinën, efektet anësore mund të ndodhin në muajin e parë pas fillimit të trajtimit. Për klorokinën, nuk ka ende të dhëna të mjaftueshme për të vendosur një afat të qartë kohor.
Pak muaj më parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ndaloi provën klinike të testimit të hidroksiklorokinës si një trajtim COVID-19, në provën e Solidaritetit.
Ndërkohë, kompania MODERNA kërkoi të marrë autorizimin zyrtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Europë, për aplikimin e vaksinës që saj që pretendohet të ketë 94.1 për qind efektshmëri.