Kryesore Agjentët e BKH-së në shtëpinë e Veliajt, Berisha: Operacion i diktuar nga...

Agjentët e BKH-së në shtëpinë e Veliajt, Berisha: Operacion i diktuar nga revolta popullore

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një konferencë me gazetarët këtë të premte. Ai u pyet në lidhje me kontrollin e agjentëve të BKH-së në zonën e Kodrës së Diellit, aty ku banon kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Sipas Berishës, operacioni është diktuar nga revolta popullore dhe do të vazhdojë derisa qytetarët ta “varin” Veliajn në “shtyllën e turpit”.

“Gjoja ja paskan marrë telefonat. Pse kur e gjithë Shqipëria fliste për ta nuk paskan gjetur një mënyrë për të pastruar telefonat? Ja pra ky është hetimi i Dumanit. Pra është një operacion i diktuar nga revolta popullore, mosbindja civile që do vazhdojë derisa qytetarët të “varin në shtyllën e turpit”, aty ku ka vendin kryehajduti i Tiranës, Erion Veliaj”, tha Berisha.

Berisha hodhi akuza edhe ndaj drejtuesve të SPAK duke theksuar se Veliaj ka qenë imun si ndaj Arben Krajës dhe Altin Dumanit. Të dy, sipas Berishës kanë të afërm që janë bashkëpunëtorë me Erion Veliaj.

“Miqtë e mi, Erion Veliaj i kishte kolegë ata. Erion Veliaj ishte imun si ndaj Arben Krajës, që në një anë kishte mbesën, në anën tjetër nipin, të dy në zyrat e bashkisë dhe pas dy vitesh hetim u kërkua të japë dorëheqjen nga çështja se ishte në konflikt interesi. Jo pa konflikt interesi është dhe vetë Altin Dumani, i cili e ka si nip të gruas një bashkëpunëtor të ngushtë, një Klajdi Meçaj, të Erion Velisë. Klajdi është një zullumqar i FRESSH-it”, tha Berisha.

Një grup i agjentëve të BKH-së (Byrosë Kombëtare të Hetimit) kanë shkuar sot në mëngjes, në banesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Kontrolli është kryer në zonën e Kodrës së Diellit ku Veliaj banon me familjen.

Vetë Prokuroria e Posaçme, në një reagim të shkurtër për mediat tha se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informon se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal. Duke qenë se hetimi ndodhet ende në fazën paraprake nuk mund të publikojmë të dhëna apo informacion të mëtejshëm në këtë moment”, thuhet në reagimin e SPAK.

Ndërkohë, zyra e shtypit të Bashkisë Tiranë njofton se Veliaj ndodhet sot në Hamburg të Gjermanisë, për një vizitë dy ditore, gjatë së cilës është pritur në një takim edhe nga Kryebashkiaku i Parë i Hamburgut, Peter Tschentscher.