Presidenti i Juventusit dhe i ECA, Andrea Agnelli, foli në hapjen e Asamblesë së 25-të të Përgjithshme të shoqatës që bashkon klubet europiane: “Bashkëpunimi dhe uniteti na kanë mundësuar të përfundojmë sezonin 2019-2020 dhe të menaxhojmë pandeminë. Megjithëse nuk jemi ende në qendër të krizës, mbetemi mjaft të prekur nga efektet e pandemisë. Së pari, nuk kemi tifozë në pjesën më të madhe të Europës dhe lojtarët janë të stresuar deri në kufi nga një kalendar shumë i ngjeshur.
Humbjet janë rreth 6.5 / 8.5 miliardë euro në dy sezone. Këto janë goditje mbi supet e klubeve. Covid-19 ka ngritur pikëpyetje serioze në lidhje me qëndrueshmërinë e modelit aktual të futbollit. Në muajt e fundit, disa aktorë të mëdhenj financiarë kanë treguar interes për futbollin. Këto subjekte nuk janë të interesuar për solidaritet, por për kthime të shpejtë të investimeve. Nëse ndryshojmë, ne mund t’i shikojmë këto investime. Futbolli, ekonomia dhe politika janë në udhëkryq.
Ne duhet t’i shfrytëzojmë këto mundësi dhe të veprojmë, përndryshe rreziku është i madh. Së pari duhet të vendosim tifozët në qendër. Sistemi aktual nuk është bërë për tifozët modernë. Hulumtimet tregojnë se të paktën një e treta e tyre ndjekin të paktën dy skuadra; 10 përqind ndjekin lojtarët, jo klubet. Ka shumë ndeshje jokonkurruese, si në shkallë kombëtare, edhe ndërkombëtare. Ne nuk mund t’i marrim tifozët si të mirëqenë, ose rrezikojmë t’i humbasim ata. Po mendoj për bisedimet që ne si ECA kemi pasur me UEFA në muajt e fundit.
Memorandumi me UEFA skadon për tri vite, para fillimit të ciklit të ri dhe ne po punojmë në këtë front me presidentin Ceferin. Nuk duhet të mendojmë për interesa të veçantë, por për ato kolektive. Nëse sa herë ulemi dhe përpiqemi të sjellim në tryezën ndërkombëtare problemet që kemi në shtëpi, bëhet e vështirë të zgjidhësh diçka. Dua ta mbyll, duke cituar Mario Draghi: Nëse nuk lëvizim, do të qëndrojmë vetëm në iluzionin e asaj që jemi, në harresën e asaj që kemi qenë dhe në mohimin e asaj që mundemi të jemi”.