Sport Agnelli largohet pa “pengje”: Juventus vjen para së gjithash

Agnelli largohet pa “pengje”: Juventus vjen para së gjithash

Andrea Agnelli drejtoi mbledhjen e fundit si presidenti i Juventusit këtë të martë, teksa bordi drejtues miratoi pasqyrat financiare. Numri një i klubit bardhezi dha dorëheqje së bashku me pjesën tjetër të kupolës drejtuese në momentit që prokuroria e Torinos nisi hetimin për manipulim të bilanceve financiare.

Në fjalën e tij, ai shprehu se për të është e vështirë të largohet, por në anën tjetër theksoi se gjithnjë kanë pasur prioritet interesat e klubit e se është krenar për punën që është bërë.

“Largimi nuk ishte një vendim aspak i lehtë. Gjithmonë kam punuar shumë për të marrë rezultatet maksimale. Juventus vjen para së gjithash dhe ne na duhet të mbrojmë interesat e klubit. Jam i bindur se kam bërë mirë në këto vite si president i klubit. Rezultatet e arritura ishin të jashtëzakonshme dhe vendimi për të bërë një hap pas tani ishte i nevojshëm“, tha ai.

Juventus rrezikon dënim si nga ana e federatës italiane ashtu dhe nga UEFA, të cilat kanë deklaruar se do të presin fundin e hetimeve, për të marrë masa nëse do të jetë e nevojshme. Në dosjen e prokurorisë së Torinos janë 14 mijë faqe, në të cilat kanë dalë dhe emrat e tetë klubeve të tjera italiane, të përfshira në aferat e transferimeve të ndryshme apo marrëveshjeve për të ndikuar në manipulimin e bilanceve financiare.