Andrea Agnelli në një konferencë për mediat pas asamblesë së aksionerëve ka folur për disa tema në lidhje me Juventusin dhe jo vetëm. Presidenti i Juves ka dhënë një mendim për Andrea Pirlon, duke nënvizuar se të gjithë presin me padurim dështimin e tij. Ai foli për vendimin që mori komisioni i Disiplinës në Itali në lidhjen me ndeshjen ndaj Napolit, ku Juventusi mori fitoren 3-0 në tavolinë, ndërsa shkëputi një mendim edhe për kampionatin në lidhje me problemet që mund t’i shkaktojë COVID-19.
“Kam ndjesinë, se nga këto javët e para se bota që na rrethon mezi pret momentin të na gjykojnë për ndonjë humbje. Pirlo, në debutimin e tij absolut në një pankinë, i është dashur të bëjë pa një fazë përgatitore përpara kampionatit. Duhet ta shoqërojmë në këtë fillim rrugëtimi i cili nuk do të jetë pa pengesa dhe jam i sigurt se kur të hasim një të tillë, bota do të kërkojë ta godasë Juventusin për zgjedhjet e bëra. Unë ndërkohë besoj se i yni është i pari stafi teknik modern që shoh, ku secili ka një detyrë dhe lëviz me vetëdije të rolit që mban.
Vendimi kundër Napolit? Është një histori midis Napolit, drejtësisë Sportive dhe organizatorëve të kampionatit. Ne jemi jashtë kësaj historie dhe nuk na shqetëson. Protokolli që Federata na ka dhënë, në marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë, Sportit dhe miratimin e Komitetit Teknik Shkencor, nëse zbatohet në mënyrë korrekte, është i mjaftueshëm për të na lejuar ta përfundojmë sezonin pa probleme”, tha presidenti i Juventusit.