Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas akuzës së deputetit demokrat, Agron Shehaj, i cili tha se policia ka mbyllur biznesin e tij.
Rama shprehet në Twitter se ndërtesa të cilën ushtronte aktivitetin biznesi i Shehajt, është bllokuar si e paligjshme nga IKMT dhe në bazë të ligjit sapo ka dalë edhe vendimi i konfiskimit.
Sakaq, Rama ka mohuar akuzat e Shehajt, se me këtë akt ka dashur t’i ushtrojë presion dhe t’i mbyllë gojën.
“Deputeti Agron Shehaj paska marrë zjarr nga sulmi policor i orkestruar politikisht mbi biznesin i tij, që ia paska mbyllur policia e regjimit për t’i mbyllur gojën zotit Agron! Pyes dhe ç’të dëgjoj?! Zoti Deputet që bërtet për shtet e paska futur biznesin në një ndërtesë pa leje!
Ndërtesa është bllokuar si e paligjshme nga IKMT me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe në bazë të ligjit sapo ka dalë edhe vendimi i konfiskimit. Deputeti me biznesin e tij janë gjetur brenda ndërkohë që pronari pretendonte se e kishte hotel!
Duket e pamundur që një deputet të bëjë biznes në një ndërtesë të paligjshme dhe t’i turret Policisë nga mikrofoni i parlamentit, duke marrë pozën e një viktime të regjimit për fjalën e tij lirë, por kur merr vesh që ky tip është një ballist foltoreje atëherë shpjegohet gjithçka!”, shkruan Rama në Twitter.
Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj deklaroi këtë të enjte, se policia ka mbyllur biznesin e tij dhe ka sekuestruar ambientet në të cilat operonte, pa asnjë leje apo urdhër nga Prokuroria.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare në Kuvend, Shehaj u shpreh se forcat e policisë kanë nxjerrë jashtë punonjësit, duke i terrorizuar, pa asnjë mandat ligjor.
Sipas tij, pas kësaj qëndron kryeministri Edi Rama, i cili kërkon që me këto akte dhune dhe përdorimin e policisë, t’i mbyllë gojën atij dhe kujtdo deputeti të opozitës që ngre zërin kundër qeverisë.