Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka kërkuar në Gjykatën e Lartë lirimin e pasurive të sekuestruara.
Kujtojmë se Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi sekuestron e llogarisë bankare të ish-zv/kryeministrit, i cili është i shpallur në kërkim nga SPAK për disa vepra penale.
Bëhet fjalë për llogarinë bankare të sekuestruar pak muaj më parë, në të cilën Ahmetaj kishte të depozituar rreth 108 mijë euro.
Janë edhe katër apartamente dhe dy llogari bankare, që dyshohet se i përkasin Arben Ahmetajt, që janë sekuestruar më nga Prokuroria e Posaçme.
Hetimi për ish-zëvendëskryeministrin është pjesë e dosjes së inceneratorëve, ku për Ahmetajn ka dyshime se ka përfituar financiarisht për shkak të favorizimit që u ka bërë biznesmenëve Mirel Mertiri e Klodian Zoto, gjithashtu të shpallur në kërkim nga SPAK.
Ahmetaj u largua nga Shqipëria para se të firmosej urdhër-arresti dhe ende nuk dihet vendndodhja e tij.
Ai ndodhet në kërkim ndërkombëtar prej 24 Korrikut 2023, konkretisht për “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, si dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.