Dy ditë pasi bordi i drejtorave të Fondit Monetar miratoi në Uashington mbylljen e marrëveshjes trevjeçare me Shqipërinë, ministri i Financave Arben Ahmetaj e konsideroi atë një sukses për ekonominë.
“Mbyllja me sukses e marrëveshjes me FMN konfirmon suksesin e reformave të qeverisë në tre vite e gjysëm. Sot kemi një rritje për 2016 të konfirmuar në 3.4 për qind dhe këtë vit do të shkojmë në 3.7 për qind”, ka thënë Ahmetaj.
Por mbyllja e marrëveshjes nuk nënkupton se FMN do të largohet nga Shqipëria, as gjatë periudhës së zgjedhjeve.
“Që do të thotë që ne do të vazhdojmë të punojmë shumë ngushtë me FMN ashtu siç kemi punuar gjatë gjithë periudhës parazgjedhore, gjatë zgjedhore, post zgjedhore deri në fund të vitit për të marrë një vendim të ri që është tagër i qeverisë Rama 2 për të pasur një program të ri dhe çfarë programi do të jetë ai”, vijoi Ahmetaj.
Ahmetaj tha se qeveria do të vazhdojë reformat ekonomike dhe sulmoi opozitën se po dëmton ekonominë.
“Çdo lloj tensioni politik është në dëm të imazhit të vendit, në dëm të ekonomisë. Por unë besoj tek maturia e qytetarëve ashtu siç po e tregojnë dhe tek vendosmëria e qeverisë dhe aleancës për të vazhduar reformat”, deklaroi ministri i Financave.