Mbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini, beson se Kylian Mbappe do të jetë lojtari që do të marrë në dorë stafetën e lënë nga Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, kur këta dy të fundit, dominuesit absolutë të futbollit botëror në më shumë se dekadën e fundit, të dalin në “pension”. Pra, kapiteni bardhezi e shikon të riun francez më superior se shoku i tij i skuadrës, Neymar.
Si një veteran i futbollit, prej gati 20 vitesh në majat e këtij sporti, Chiellini është përballuar thuajse me të gjithë sulmuesit e botës, teksa ka zbuluar se ishte befasuar qysh herën e pare, kur pa Mbappe. Në të vërtetë, ai beson se 21-vjeçari tashmë e ka eklipsuar Neymar, i cili u bë lojtari më i shtrenjtë në botë, kur u transferua nga Barcelona te PSG, për 222 milionë € në verën e 2017.
“Unë mendoj se Mbappe është më i mirë se Neymar, sepse është më i qëndrueshëm, – shkroi mbrojtësi italian në autobiografinë e tij “Io Giorgio”, sipas një ekstrakti të botuar nga RMC. – E ardhmja i përket atij. Kylian është një lojtar me të vërtetë unik. Herën e parë që e pashë duke luajtur në televizion u befasova. Ishte një ndeshje Champions-i e sezonit 2016-2017, Manchester City kundër Monaco. Ai ishte shumë mbresëlënës.
Në fund të pjesës së pare pyeta drejtorin sportiv të Juventusit, Fabio Paratici: Kush është ai? Nga cili planet vjen nga ai? Fabio më tha: Po, e njoh prej një kohe të gjatë. Ai ishte një sulmues i pandalshëm, edhe pse vetëm 18 vjeç. Atë vit u përballëm me të në gjysmëfinale. Tani është 21 vjeç dhe një kampion botëror. Joshës, plot teknikë, instinkte, atij nuk i mungon asgjë. Ai është një kryevepër e paçmueshme”.