Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni e ka realizuar një vizitë jozyrtare dhe të papritur në rezidencën e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump në Florida.
Në disa fotografi të publikuara nga zyra e kryeministres, Meloni dhe Trump shihen duke bërë fotografi në hyrjen e rezidencës, dhe me vonë duke biseduar.
Ajo shoqërohej nga ambasadorja në SHBA, Mariangela Zappia.
Bashkë me ta edhe këshilltari i ardhshëm i sigurisë kombëtare, Mike Waltz dhe ambasadori i ardhshëm i SHBA në Itali, Tilman Fertitta.
”Është shumë emocionuese, unë jam këtu me një grua të mrekullueshme, kryeministren e Italisë”, citohet të ketë thënë Trump.
Zyra e saj nuk ka dhënë më shumë hollësi për vizitën.
Fotografitë e dy liderëve konservatorë afër njëri-tjetrit janë publikuar në faqet e para të të gjitha gazetave italiane. Disa gazetarë raportuan për takimin në Platformën X.
“Ajo me të vërtetë e ka pushtuar Europën”, tha Trump për Melonin, raportoi një reporter i Bloomberg. Kryetarja e partisë së djathtë “Vëllezërit e Italisë” ka marrëdhëniet më të mira me kampin Trump.
Sekretari i ardhshëm i Shtetit, Marco Rubio, e përcaktoi Melonin si një “aleate të madhe, një udhëheqëse të fortë”.
Gjatë takimit, sipas shtypit, Donald Trump – së bashku me Giorgia Meloni, Marco Rubio dhe të tjerë – ndoqën premierën e një dokumentari të fokusuar në apelimet në zgjedhjet e 2020, kur ai denoncoi mashtrimin masiv.
Meloni gjithashtu mban një marrëdhënie miqësore me miliarderin amerikan Elon Musk, i cili këshillon republikanin dhe aktualisht shihet shpesh në krah të tij.
Meloni është njëra prej liderëve botërorë, përfshirë kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau dhe kryeministrin hungarez, Viktor Orban, që kanë vizituar Trumpin para inaugurimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, më 20 janar.