Kulturë Ajo që i kërkoi grim Mbretëreshës angleze: Safija, një grua shqiptare me...

Ajo që i kërkoi grim Mbretëreshës angleze: Safija, një grua shqiptare me ndikim të madh në oborrin e Sulltanit

Ajo erdhi nga një fshat shqiptar në Stamboll dhe u bë gruaja më e dashur e Sulltan Muratit III. Safija i liroi shumicën e të burgosurve, i dha urdhër një eunuku që të mos i ekzekutojë prostitutat, vuri në dispozicion pasurinë e saj për rregullimin e topave për luftë. Por kapitulli më mahnitës i karrierës së saj është korrespondenca dhe bashkëpunimi me Mbretëreshën e Anglisë, Elisabeth I., e cila i dërgoi shumë dhurata, mes tyre një pajton (araba) prej ari dhe një mace të zezë angleze. Nga sundimtarja angleze Safija kërkoi grim për fytyrë dhe duar.

Nga Enver ROBELLI*

1.

Haremi dhe Sulltanët osmanë – kjo është një temë e gjerë, e cila gjatë historisë së Perandorisë Otomane, por edhe deri në ditët e sotme ka zgjuar dhe zgjon interesimin e historianëve dhe i jep hov fantazisë së kureshtarëve. Në vitin 1599 Mbretëresha angleze Elisabeth I. e dërgoi Thomas Dallam-in në Stamboll për të instaluar një organo në pallatin Topkapi. Organoja ishte dhuratë për Sulltan Mehmetin e III. Dallam ishte zejtar i famshëm i organove. Në ditarin e tij (Diary of Thomas Dallam) ai shkroi: “Pastaj më thanë se nëse rri aty, Zotëria i Madh do të m’i jepte dy gra, ose dy nga konkubinat e tij ose dy virgjëresha prej më të mirave, të cilat mund t’i zgjedh vetë, nga qyteti apo nga fshati…”. Dallam përshkruan bukurinë e pallatit dhe bukurinë e grave të haremit, të cilat e mrekullojnë.

2.

Njëra prej grave më me ndikim në haremin e Sulltanit ishte Nurbanu, e cila sipas disa burimeve u lind në Qipron e sotme, ndërsa burime të tjera thonë se ishte venedikase dhe u lind në ishullin Paros. Nurbanu ishte e krishterë, mendohet se ishte rrëmbyer në moshën 12-vjeçare nga kryeadmirali i Sulltanit. Autorët që besojnë se ajo vjen nga Qipro thonë se quhej Kale Kartanou, ata që janë të bindur se është venedikase, e prezantojnë atë me emrin Cecilia Venier-Baffo. Pas arritjes në Stamboll Nurbanu e shoqëroi Sulltan Selimin II. në shtegtimet e tij. Në vitin 1546 ajo i lindi Sulltanit një djalë – Muratin III. Këtu e tutje ajo qe gruaja më e pëlqyer e Selimit. Nurbanu shpejt u bë grua me ndikim të madh në Perandorinë Osmane. Ajo mbajti korrespondencë me Caterina de’ Medici, u angazhua në ndërtimin e objekteve madhështore për të siguruar mëshirën e Allahut, Nurbanu është gruaja e parë që themeloi një bibliotekë në një xhami të Stambollit. Bashkëkohësit e quanin këtë bibliotekë “Kodra e Dritës”. Sulltan Selimi ishte pijanec. Ai vdiq në një banjë të haremit. Kjo ngjarje nuk e dobësoi ndikimin e Nurbanusë. Ajo ndërtoi xhami, banja, hapi kuzhina për të varfër. Varri i saj gjendet në një tyrbe, bashkë me Sulltan Selimin II., i cili kishte thyer traditën e sulltanëve dhe e kishte martuar Nurbanunë.

3.

Traditën e respektimit të grave të haremit e vazhdoi Sulltan Murati III., i biri i Selimit II. dhe Nurbanusë. Në librin e saj të botuar së fundi në gjermanisht “Stambolli. Biografia e një metropoli botëror” (titulli i origjinalit: “Istanbul. A Tale of Three Cities”) historiania britanike Bettany Hughes shkruan se si babai i tij edhe Murati kishte një grua të pëlqyer të haremit. Ajo quhej Safije, e cila “në moshën 13-vjeçare kishte ardhur (në Stamboll) nga një fshat në malet e Shqipërisë”. Emri i saj domethënë: “e pastër”, “e gëzueshme”. Safija ishte një grua e pushtetshme në pallat, sepse i biri i saj, Sulltan Mehmeti III., më shumë kishte dëshirë të shijonte jetën e të dëfrehej dhe vendimmarrjen ia kishte lënë nënës së tij. Ajo liroi shumicën e të burgosurve nga Kulla e Gallatës, i dha urdhër një eunuku që të mos i ekzekutojë prostitutat, vuri në dispozicion pasurinë e saj për rregullimin e topave për luftë. Safije Sulltan propozoi edhe ndërtimin e Pazarit Egjiptian në Stamboll. Ajo pa se tregtarët po ngrinin gjatë dimrit, andaj vendosi më 1597 të ndërtojë pazarin e mbuluar, Mısır Çarşısı, siç quhet në turqisht.

4.

Kapitulli më mahnitës i karrierës së Safijes është korrespondenca dhe bashkëpunimi me Mbretëreshën e Anglisë Elisabeth I. Bettany Hughes shkruan se Elisabeth I. i dërgoi Safijes shumë dhurata, mes tyre një pajton (araba) prej ari dhe një mace të zezë angleze, e cila u soll vërdallë nëpër harem derisa ngordhi. Pasi pranoi dhuratë një portret me xhevahire të Mbretëreshës Elisabeth I., Safija i premtoi asaj se “edhe më tutje do të angazhohem për qëllimet tuaja”, duke thënë se “në pluhurin e këmbëve” të sundimtarit do ta përmend dhe lavdërojë përherë fisnikërinë e mbajtëses së fronit anglez. Në emër të djalit të saj, Sulltan Mehmetit III., Safija i shkroi Mbretëreshës angleze se do të angazhohej për lirimin e anglezëve të zënë rob në Afrikën veriore. Më tutje ajo shton se e ka qortuar birin e saj, sepse kishte harruar hollësitë e një marrëveshjeje mes dy fuqive detare. “Qoftë e përhershme miqësia jonë. Ajo – në emër të zotit – mos marrtë fund kurrë”, shkroi Safija, e cila bashkë me letrën i dërgoi sundimtares angleze edhe disa dhurata: dy peshqirë të qëndisur me ar, tri shami xhepi dhe një diademë (kurorë e zbukuruar me gurë të çmuar, të cilën e mbanin perandorët, mbretërit etj. si shenjë e pushtetit të lartë). Përmes shërbëtores së saj hebraike Esperanza Malchi Safija i kërkoi Mbretëreshës angleze grim për fytyrë dhe duar: “Duke pasur parasysh se Lartmadhëria Juaj është grua… Në Mbretërinë Tuaj ka ujëra të rralla të distiluara të çdo lloji për fytyrë dhe vajra erëmira për duart. Lartmadhëria Juaj do të më bënte një nder nëse do të më dërgonte ca prej tyre në duart e mia për Mbretëreshën (tonë) shumë fisnike; në duart e mia, sepse ajo, nëse bëhet fjalë për gjëra për zonja, nuk dëshiron që ato të kalojnë nëpër duar të tjera”. Si për çdo grua të haremit edhe për Safijen ka supozime se nuk ishte shqiptare, por venedikase. Me gjasë biografia e saj është ngatërruar me biografinë e vjehrrës, Nurbanusë. Sipas burimeve të reja venedikase të prezantuara nga historiania amerikane Leslie P. Peirce, Safija ishte me origjinë shqiptare nga Dukagjini. Këto të dhëna Peirce i prezanton në librin e saj: “The Imperial Harem: Women and Sovereignty in the Ottoman Empire”, New York, Oxford University Press.

Burimi: Dialogplus.ch