Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmë në orën 23:00 ku një motor elektrik i ka prerë rrugën automjetit dhe si pasojë ka ndërruar jetë drejtuesi i motorit elektrik. Viktimë ka mbetur 18-vjeçari Enjon Saliaj për të cilin aksidenti ka rezultuar fatal.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Freskut. Sipas njoftimit të policisë, drejtuesi i automjetit është larguar nga vendi i ngjarjes dhe nuk i ka dhënë ndihmën e duhur Enjon Saliajt por është arrestuar disa orë më pas.
Viktima është djali i Kudret Saliajt që u vra nga gruaja dhe vjehrri në Qershor të vitit 2021 në një lokal pranë Gjykatës së Tiranës teksa ishin në proces divorci.
NJOFTIMI I POLICISË SË TIRANËS:
Në vijim të punës për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të ndodhur rreth orës 23:30 të mbrëmjes së djeshme, te Fresku, ku si pasojë e përplasjes së një automjeti me një motor elektrik, mbeti i dëmtuar shtetasi E. S., 18 vjeç (drejtuesi i motorit elektrik), i cili më pas humbi jetën në spital, specialistët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë kanë kryer veprime hetimore për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të drejtuesit të automjetit të përfshirë në këtë aksident.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se në kohën që ka ndodhur aksidenti, automjeti nuk drejtohej nga pronari i tij, shtetasi F. A., por drejtohej nga shtetasi S. K., 19 vjeç, banues në Tiranë.
Nga verfikimet ka rezultuar se shtetasi S. K. ishte i pajisur me lejen përkatëse të drejtimit dhe nuk ka qenë nën efektin e alkoolit në kohën që është përfshirë në aksident.
Automjeti dhe motori elektrik u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve, shtetasi S. K., 19 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua në flagrancë dhe materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.