Aktualitet Aksident në aksin Elbasan-Tiranë: Polici përplaset nga një grua. 53-vjeçari ndodhet në...

Aksident në aksin Elbasan-Tiranë: Polici përplaset nga një grua. 53-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë

Policia e Elbasanit ka dhënë informacion zyrtar për aksidentin e rëndë të ndodhur mbrëmjen e kësaj të marte në aksin rrugor Elbasan-Tiranë.

Sipas policisë, efektivi ishte në krye të detyrës kur u përplas nga një makinë në timonin e së cilës ndodhej një grua 51-vjeçare, e cila u vu në pranga.

Sa i përket efektivit të aksidentuar, policia thotë se 53-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë.

“Më datë 27.09.2022, rreth orës 19:15, në aksin rrugor Elbasan-Tiranë, në fshatin Gracen, automjeti tip “Lancia”, me drejtuese shtetasen S. V., 51 vjeçe, banuese në Tiranë, ka përplasur punonjësin e Policisë të qarkullimit rrugor të DVP Elbasan, shtetasin F. B., 53 vjeç, i cili është transportuar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën”.

“Punonjësi i Policisë ishte në krye të detyrës, pasi kishte shkuar për të trajtuar një aksident të ndodhur më parë, daljen e një automjeti nga rruga, në këtë aks. Drejtuesja e automjetit, shtetasja S. V., është arrestuar në flagrancë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit”, tha policia në një njoftim për mediat.