Arjan Metaj, 63 vjeç, u aksidentua ndërsa ngarkonte traversa betoni për llogari të Hekurudhës Shqiptare dhe sipas familjarëve, ai rrezikon të mbetet i paralizuar. Por ndryshe nga parashikimet ligjore, drejtuesit e Hekurudhës nuk e raportuan rastin në Inspektoriatin e Punës.
Nga Geri Emiri – BIRN
Administrata publike po shijonte ditën e tretë të pushimit, të hënën e 10 prillit, si një zgjatim i festimeve për pashkët katolike, kur Arjan Metaj, 63 vjeç, u aksidentua ndërsa ngarkonte në një kamion traversa betoni për llogari të Hekurudhës Shqiptare.
E bija, Xhana Metaj, i tha BIRN se i ati kishte marrë urdhër për të dalë në punë mëngjesin e së hënës, edhe pse kjo nuk ishte e zakonshme.
“Normalisht kur janë pushimet zyrtare nuk ka shkuar në punë. Ky ishte një rast i çuditshëm, por ai iku sepse e kërkoi drejtori,” tha Metaj.
Arjan Metaj ishte një shofer veteran i mjeteve të tonazhit të rëndë dhe punonte prej 13 vitesh për shoqërinë Hekurudha Shqiptare. Sipas së bijës, ai u aksidentua pasi ngarkoi traversat në karroceri dhe u ngjit në kamion për ta siguruar ngarkesën me litar, por rrëshiti duke rënë nga lartësia.
“Babi ishte duke i vendosur litarin që mos të rrëshqisnin gjatë transportit dhe në kohën që ai ishte lart duke e lidhur, një nga traversat ka lëvizur dhe ai ka rrëshqitur, ka rënë nga lartësia 3-4 metra poshtë,” tha Xhana Metaj.
Metaj fillimisht u transportua me autoambulancë drejt Spitalit të Durrësit, por shpejt mjekët zbuluan se 63-vjeçari kishte marrë plagë të rënda dhe e dërguan në spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Vajza e tij i tha BIRN se ai ishte në gjendje kritike dhe i paralizuar.
“Ka pësuar paralizë komplete, nuk lëviz fare, as duart, e kanë përcaktuar si tetraplegjik i shkallës së lartë,” rrëfeu e bija për BIRN.
Legjislacioni shqiptar i detyron administratorët e shoqërive që të raportojnë brenda 24 orëve aksidentet në punë, por drejtuesi i Inspektoriatit Shtetëror të Punës në Durrës i tha BIRN se nuk ishin informuar për rastin e Metajt dhe se do të nisnin një inspektim pas raportimit gazetaresk.
“Nuk kemi informacion për rastin, ju po më thoni, sepse ne indiciet i marrim nga media dhe detyrimin e ka administratori i subjektit që brenda 24 orëve të bëjë lajmërimin tek Inspektorati i Punës, sepse përndryshe sanksionohet me gjobë dhe këtë gjë s’e ka bërë,” tha Bledar Voka, kryeinspektori i Punës dhe Sigurimeve Shoqërore në Durrës.
Policia e Durrësit e raportoi rastin gati 30 orë pas aksidentit dhe deklaroi se kishte referuar në Prokurori për veprën penale të “shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë” teknikun e Drejtorisë së Hekurudhave në Durrës, 62 vjeçarin me iniciale I. XH.. Policia nuk dha detaje për datën dhe orën e ngjarjes, duke shtuar se i aksidentuari ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Administratori i Hekurudha Shqiptare, Gentian Liko nuk ishte i arritshëm për koment, ndërsa shoqëria nuk iu përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi pyetjeve aksidentimin e Arjan Metajt dhe mosdeklarimin e aksidentit në Inspektoriatin e Punës në Durrës.
Aksidentet në punë janë të nënraportuara në Shqipëri dhe shpesh faji për to u ngarkohet viktimave.
Sipas Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, vitin që kaloi në Durrës pati 31 inspektime për aksidente në vende pune. Gjashtë prej aksidenteve ishin me pasojë humbjen e jetës. Në një rast tjetër, më 12 korrik 2022, Policia e Durrësit njoftoi se punëtori i një kompanie pastrimi kishte humbur jetën pas një aksidenti, por autoritetet nuk mundën ta identifikonin kompaninë në momentet e para. Edhe në këtë rast Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore në Durrës deklaroi për BIRN në atë kohë se nuk kishin njoftim për aksidentin.
Pas ndërhyrjes kirurgjikale të mërkurën, familjarët e Arjan Metajt thanë me trishtim se ai mund të ketë përgjithmonë nevojë për ndihmën e një karroce për të lëvizur. Familja është gjithashtu e revoltuar për raportimin e zbutur të ngjarjes nga policia.
“Pasi u publikua më erdhi keq, sepse shkruhej se punonjësi është në spital në gjendje të mirë. Kjo nuk është absolutisht e vërtetë”, përfundoi e bija.