Një devijim për të mos u parakaluar. Më pas një kontakt mes “Polo”-s dhe “BMW”-së, ndërsa kjo e fundit përplaset me pemën. Një aksident që do të përfundonte në tragjedi. Është kjo një nga hipotezat e fundit që publikohet në mediat italiane për të sqaruar masakrën që ndodhi në Gorgo al Monticano dhe humbën jetën dy vajza, 19-vjeçarja shqiptare Eralda Spahillari dhe 17-vjeçarja Barbara Brotto. Shoferi i makinës tip “BMW”, Mikele Tatani, i fejuari i Spahillarit, ndodhet në gjendje të rëndë në spital së bashku me të dashurin e Brotto-s, Danielle Castelli.
Sipas asaj që shkruajnë mediat, makina tip “Polo” që drejtohej nga 18-vjeçari Gëzim Qerosi me origjinë shqiptare, mund të ketë luajtur rol aktiv në daljen e “BMW”-së nga rruga. Vendimtare do të jetë ekspertiza që pritet të bëjë prokurorja Gabriella Cama në ditët në vijim. Synimi është të kuptohet se si janë përplasur dy makinat dhe nëse ka apo jo lidhje mes kontaktit të parë dhe goditjes fatale në pemë.
Në këtë mënyrë pritet të zbardhet edhe përgjegjësia e dy drejtuesve të makinave, pasi Tatani dhe Qerosi po hetohen për vrasje të dyfishtë në rrugë. Një tjetër hipotezë që po shqyrtohet nga prokurorja është ajo e mosdhënies së ndihmës, duke qenë se 4 shokët u larguan pasi telefonuan karabinierët. Disa orë më vonë ata u gjetën në shtëpitë e tyre. Çdo rezultat i hetimit pritet që t’i ngarkohet shoferit dhe jo pasagjerëve.
Sa i përket dinamikës së ngjarjes dy hipoteza janë në tavolinë. E para është se Tatani ka parakaluar me shpejtësi të madhe, ka goditur “Polo”-n dhe më pas përfundoi në pemë. Ky në fakt është rikonstruksioni paraprak i dinamikës së ngjarjes që qarkulloi menjëherë pas ngjarjes. Por në këto orë po qarkullon edhe hipoteza e dytë, ende për t’u verifikuar. Dyshohet se “Polo” mund të ketë lëvizur drejt qendrës së rrugës teksa makina tip “BMW” po tentonte të parakalonte. Në atë moment Tatani ka kthyer në mënyrë instiktive timonin majtas dhe më pas është përplasur. Në trupin e “BMW”-së është gjetur një gërvishtje. Pastaj ka edhe një aspekt tjetër për t’u marrë parasysh sipas Il Gazettino-s. Nëse “BMW”-ja do të kishte goditur “Polo”-n me 140 km/h me shumë mundësi do ta kishte shtyrë atë nga rruga. Por makina tjetër nuk ishte aty dhe prandaj një ekspertizë është thelbësore. Po ashtu pritet që dy shoferët të kryejnë testet toksikologjike për të kuptuar nëse ka qenë nën ndikimin e alkoolit apo drogës.
Por çfarë deklaronte më herët babai i Mikele Tatanit në lidhje me shokët e djalit?
“Kur arrita në vendin e aksidentit nuk kishte asnjë shenjë prej tyre. Ata u shfaqën disa orë më vonë, pa makinën që kishin përdorur më parë. Më thanë se nuk ishin aty në momentin e përplasjes, ishin në një rrugë tjetër. Por pyes veten pse “Poloja” e tyre ka një pasqyrë anësore të majtë të thyer dhe trupi i “BMW”-së sime ka gërvishtje në anën e djathtë. Unë i njoh prej vitesh ata fëmijë. Kanë ardhur për të ngrënë në shtëpinë time, gjithmonë i kam pritur. Megjithatë janë të vetmit që nuk kanë ardhur ende për të më ngushëlluar. Duket sikur janë zhdukur. Është e çuditshme”, tha ai.
Mikele Tatani e përdorte shpesh makinën tip “BMW” që ishte e babait të tij. Në profilin ne tij në TikTok ai ka shpërndarë video të një gare mes dy makinave. Ndërkohë edhe Barbara Brotto ka postuar video teksa Tatani i jepte makinës me shpejtësi. Ajo shprehej se kishte frikë dhe kërkonte që të mos ecnin me shpejtësi.