28-vjeçari Edison Lazri, shoferi i mjetit tip “Benz” me targa angleze është arrestuar pasi sipas njoftimit zyrtar të Policisë, mjeti që ai drejtonte është përplasur me një makinë tjetër tip “Benz” që drejtohej nga 55-vjeçari Kujtim Istrefi, i cili mbeti viktimë si pasojë e aksidentit të ndodhur në aksin rrugor Bulqizë-Maqellarë në vendin e quajtur ‘Ura e Gjoricës’.
Aksidenti i rëndë shkaktoi humbjen e jetës së 3 familjarëve, vëllezërve Kujtim Istrefit (Dehari) 55 vjeç, Murat Istrefi (Dehari) 74 vjeç dhe 51-vjeçares Lulëzime Istrefit (Dehari), bashkëshortja e Kujtim Istrefit.
Të plagosur kanë mbetur Mërgim Lazri 24 vjeç, Kadrie Markeçi 18 vjeç, Firuze Istrefi 55 vjeç, të cilët kanë qenë pasagjerë, si dhe shoferi Edison Lazri 28 vjeç i cili u vu në prangat e policisë.
Policia njofton se të plagosurit po marrin ndihmë mjekësore në spital.
Dyshohet se mjeti tip “Mercedes Benz 240” ku udhëtonin Kujtim dhe Murat Istrefi me dy bashkëshortet Lulëzime dhe Firuze Istrefi, ka dalë nga një rrugë dytësore duke dalë nga fshati Gjoricë ku kishin qenë për vizitë dhe në momentin që kanë dalë në rrugën nacionale i kanë prerë rrugën mjetit tip “Benz” me targa angleze. Si pasojë e shpejtësisë, përplasja ka qenë shumë e fuqishme dhe mjeti ku udhëtonin viktimat është ndarë në 2 pjesë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.
Të vdekur:
1. Kujtim Istrefi ( Dehari ) – 55 vjeç (Maqellarë – Dibër)
2. Murat Istrefi (Dehari) – 74 vjeç (Maqellarë – Dibër)
3. Lulëzime Istrefi (Dehari) – 51 vjeç (Maqellarë – Dibër)
Të plagosur:
1. Mërgim Lazri – 24 vjeç (Bllatë e Epërme – Dibër)
2. Edison Lazri – 28 vjeç (Bllatë e Epërme – Dibër)
3. Firuze Istrefi – 55 vjeç (Maqellarë – Dibër)
4. Kadrie Markeçi – 18 vjeç (Shupenzë -Dibër)
Njoftimi i Policisë
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Dibër, arrestuan shtetasin E.L., 28 vjeç, banues në fshatin Bllatë, Dibër. Arrestimi i tij u bë pasi me datë 04.01.2023 rreth orës 18.15, në aksin rrugor Bulqizë-Maqellarë në urën e fshatit Gjoricë duke drejtuar automjetin tip ‘Benz’, është përplasur me një automjet tjetër tip ‘Benz’, që drejtohej nga shtetasi K.I., 55 vjeç, banues në Maqellarë.
Si pasojë e këtij aksidenti humbi jetën drejtuesi i mjetit shtetasi K.I., dhe dy pasagjerët M.I(D), 74 vjeç; L.I., 51 vjeçe. Po si pasojë e këtij aksidenti mbetën të lënduar shtetaset F.I., 55 vjeçe; K.M., 18 vjeçe; M.L., 24 vjeç dhe shtetasi E.L, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital.