Policia e Gjirokastrës ka arrestuar 22-vjeçaren Rexhina Çelhaka, drejtuesen e fuoristradës Land Rover, lidhur me aksidentin e djeshëm me 5 të vdekur në qafën e Muzinës.
Policia thotë se 22-vjeçarja, nën drejtimin e fuoristradës në aksin Sarandë-Gjirokastër, është përplasur me furgonin e pasagjerëve, e për pasojë mjeti furgon ka rënë disa metra poshtë rrugës në humnerë.
Nga ky aksident kanë humbur jetën persona që udhëtonin me furgon. Viktimat janë shoferi i furgonit Bardhyl Proda, burrë e grua Fiqiri Korçari 77 vjeç dhe Drita Korçari 72 vjeçe, si dhe dy ukrainas Tetiana Fediaieva 48 vjeçe dhe Olesandr Fediaieva 53 vjeç.
Gjithashtu, mbetën të plagosur një pasagjere 25-vjeçare e furgonit, e cili i mbijetoi mrekullisht përplasjes, si dhe dy vajza të reja A.K. 23 vjeçe dhe G.P. 22 vjeçe banuese në Itali pasagjere në fuoristradën tip Land Rover.
Shoferja 22-vjeçare e fuoristradës akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, megjithatë hetimet për këtë aksident të rëndë vijojnë ende.