Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ka liruar nga paraburgimi shtetasin italian, Salvatore Di Tella, i cili më 18 Gusht të këtij viti shkaktoi një aksident me “Jet Ski” në Shëngjin, ku humbi jetën kunati i tij Nicola Loro.
Mësohet se ai ka vënë një shumë prej 1 milion Lekësh si garanci pasurore, ndërsa gjykata ka pranuar kërkesën e tij për zbutje të masës së sigurisë nga arrest me burg në detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore një herë në muaj.
Prokuroria e Shkodrës e akuzoi atë për vrasje nga pakujdesia. Salvatore Di Tella pretendoi që në fillim se ngjarja ka qenë aksidentale.
Dy mjetet lundruese JetSki u përplasën mes tyre 1 milje jashtë perimetrit të sigurisë në Shëngjin.
Ato drejtoheshin nga dy kunetërit italianë.