Të tjera detaje dalin në dritë nga aksidenti tragjik që ndodhi në mesnatë në zonën e Bërzhitës në kryeqytet, ku dy vajza humbën jetën dhe tre të tjerë mbetën të plagosur.
Mësohet se 5 të rinjtë po ktheheshin nga një lokal ku kishin festuar ditëlindjen e shoqes së tyre 14-vjeçare me iniciale L.M. Kjo e fundit ka mbetur e plagosur nga aksidenti, së bashku me 14-vjeçarin tjetër O.M. dhe shoferin F.Sh. 18 vjeç.
Ndërsa dy shoqet e tyre 17-vjeçare D. Tarja dhe S. Serani humbën jetën për shkak të plagëve të rënda që kishin pësuar.
Nga hetimet paraprake dyshohet se makina doli nga rruga për shkak të shpejtësisë së lartë dhe lagështirës në rrugë. Tre të plagosurit ndodhen në spital dhe po mbahen nën kujdes intensiv nga bluzat e bardha.
Grupi hetimor që shkoi në vendngjarje bëri të mundur rindërtimin e rrethanave dhe dinamikës së aksidentit.