Presidenti Ilir Meta ka reaguar me një postim në Facebook pas aksidentit tragjik që shkaktoi vdekjen e 4 anëtarëve të një familjeje, dy prej të cilëve të mitur.
Pasi u shprehu ngushëllimet të afërmve, Kreu i Shtetit kërkoi nga autoritetet një hetim të plotë dhe marrjen e masave për të parandaluar tragjedi të tilla.
“Kam përcjellë me trishtim shumë të thellë lajmin e rëndë të humbjes së familjes Gushi në një aksident tragjik në aksin rrugor Fier-Vlorë. I bashkohem dhembjes së të afërmve dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera! Zoti t’ju japë forcë për të përballuar këtë tragjedi, që na ka tronditur sot të gjithëve. Duke kërkuar një hetim të plotë, i apeloj Policisë Rrugore dhe çdo strukture tjetër përgjegjëse, të marrin të gjitha masat efektive për të parandaluar të tilla tragjedi, sidomos në këtë periudhë të ngarkuar të sezonit turistik. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të udhëtojnë me shumë kujdes! Shpejtësia vret”, lexohet në postimin e Metës.
Mjeku tregon gjendjen e tre djemve që ishin në makinën Audi
Dy prej tre djemve të mbetur të plagosur si pasojë e aksidentit tragjik të ndodhur këtë të premte në aksin Levan-Vlorë, janë në gjendje të qëndrueshme.
Shefi i reanimacionit në spitalin e Vlorës, Edmond Breshani, tha se dy prej tyre do të transferohen gjithsesi në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa i treti do të mund të dalë brenda ditës.
“Gjendja e tyre paraqitet stabël. Njëri prej pacientëve ka dëmtime të vertebrës, pacienti tjetër ka një shembje të trupit, ndërsa i treti ka vetëm gërvishtje. Janë të vetëdijshëm, të frikësuar, por stabël nga ekzaminimet e tjera”, tha Breshani.
Nga përplasja e makinës së tyre me një tjetër mjet në autostradë, humbën jetën katër pjesëtarët e të njëjtës familje, prindërit dhe dy vajzat e mitura, 14 dhe 9 vjeç.