Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës në autostradën “Milot-Morinë”. Policia bën të ditur se një 60-vjeçar është përplasur nga një automjet në fshatin Gjegjan të Kukësit dhe për pasojë ka humbur jetën.
Policia njofton se ka vënë në pranga shtetasin A. M., 27 vjeç, banues në Prishtinë, i cili drejtonte makinën që shkaktoi aksidentin.
“Shërbimet e Njësisë së Sigurisë Rrugore në autostradën “Milot-Morinë” arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 27 vjeç, banues në Prishtinë, pasi rreth orës 21:30, të datës 14.05.2024, në fshatin Gjegjan, me automjetin që drejtonte, ka përplasur një shtetas ende të paidentifikuar, këmbësor, rreth 60 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën në vendngjarje. Vijon puna për identifikimin e këtij shtetasi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.