Aktualitet Aksidentoi për vdekje dy vajza të reja, Gjykata e Elbasanit e dënon...

Aksidentoi për vdekje dy vajza të reja, Gjykata e Elbasanit e dënon me vetëm 4 vite burg

Një vendim i çuditshëm është dhënë nga Gjykata e Elbasanit për Behar Pemën, i cili më 13 shtator 2020 aksidentoi me vdekje dy vajza të reja dhe dy të tjera i la të plagosura. Ai është dënuar me katër vite burg për aksidentin.

Gjykata e Elbasanit ka dënuar me katër vite burg Behar Pemën, drejtuesin e automjetit i cili shtatorin e kaluar përplasi në dalje të tunelit Tiranë-Elbasan, një tjetër automjet ku po udhëtonin katër vajza dy prej të cilave ndërruan jetë, Lusinda Garunja dhe Zheneta Qallia.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 13 shtatorit 2020, ndërsa në heshtje prokuroria dhe Gjykata e Elbasanit kanë përfunduar hetimin dhe këtë të premte shpallën vendimin, 4 vite burg për dy viktima. Prokurori Binas Nina ka kërkuar 6 vite dënim duke pranuar argumentin se palët përfaqësuese të viktimave dhe autorit kanë normalizuar marrëdhëniet.

Por ky argument duket i dyshimtë, kur i menjëhershëm ka qenë reagimi i nënës së njërës prej viktimave, e cila nëpërmjet facebook thotë se hoqën dorën nga vetëgjyqësia duke besuar tek drejtësia.

“Me 13 shtator ne ditëlindjen tende Lusi, fryma e jeta jeme, ta moren jeten padrejtesisht… ne nje dite kur si cdo e re don me e gezu, ti me erdhe e pajete e veshun si nuse, ashtu si cdo nane don me e pa bijen e vet, por ne arkivolin e ftofte… E dje ty e shoqen tande Xheni te vrane per se dyti… ia lame ne dore drejtesise e nuk kerkume vetegjygjesi, e jeta dy vajzave te vdekuna dhe e dy te tjerave qe shpetune nga dora e Zotit vlejti vetem 4 vite denim per autorin… Si mundet me ndodh e si nuk permbyset kjo bote…. Edhe sa gjame duhet me ndodhe qe i papergjegjshmi me marre dënimin e meritum e mos me e pesu edhe shum familje te tjera dhimbjen tone”, shkruan Ralia Alia

Në momentin pas aksidentit dhe arrestimin nga policia Behar Pema rezultoi se drejtonte mjetin edhe në gjendje të dehur duke goditur nga pas veturën e katër vajzave që për të festuar datëlindjen ishin nisur nga Shkodra në Korçë.

Në bazë të Kodit Penal, neni 290 për ‘Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor’ thuhet se kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose plagosja e rëndë e disa personave, dënohet me burgim nga pesë deri në njëzet vjet.