Policia e Kavajës ka arrestuar shtetasin italian me inicialet F. A., 54 vjeç, si dhe ka shpallur në kërkim shtetasin V. N., 43 vjeç, banues në Kavajë.
Arrestimi i 54-vjeçarit dhe shpallja në kërkim e 43-vjeçarit u bë për arsye se rreth orës 00:30 të mëngjesit të sotëm, në segmentin rrugor Kavajë-Golem, këta dy shtetas po udhëtonin me automjetin tip Golf në pronësi të shtetasit V.N. dhe kanë aksidentuar këmbësorin me inicialet P. F., 54 vjeç, banues në Kavajë, i cili ka humbur jetën.
Pas aksidentit të dy këta shtetas janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, është bërë arrestimi i shtetasit italian F. A., 54 vjeç, pasi nuk ka deklaruar se cili prej tyre ka qenë në drejtimin e automjetit.
Po në vijim të veprimeve është shpallur në kërkim shtetasi V. N., 43 vjeç, banues në Kavajë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij ky shtetas nuk është gjetur në banesë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vazhdon puna hetimore për zbardhjen e këtij rasti.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.