Tre persona janë arrestuar nga policia pasi u kapën duke transportuar lëndë narkotike nga Korça në Elbasan. Të arrestuarit janë L.Gj. 23 vjeç, 28-vjeçarja B.F. dhe G.P. 33 vjeç.
Policia kishte marrë informacion në rrugë operative për këtë transport të lëndëve narkotike dhe ndaloi për kontroll fuoristradën Audi Q7 që drejtohej nga 23-vjeçari L.Gj. dhe pasagjere 28-vjeçaren.
Në bagazhin e Audit u gjetën 10 kg kanabis.
Në afërsi të këtij automjeti u kap dhe u ndalua edhe 33-vjeçari G. P., i cili nga veprimet hetimore ka rezultuar bashkëpunëtor me dy personat lartpërmendur.
Gjatë kontrollit në banesën e G.P., shërbimet e policisë kanë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe një sasi të vogël lënde të dyshuar kanabis në formë çokollate.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit pistoletë, 10 kg kanabis dhe automjeti tip “Audi”.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, ka rezultuar se në këtë veprimtari kriminale dyshohet se janë të përfshirë edhe 5 shtetas të tjerë, të cilët u shpallën në kërkim. Policia vijon hetimet për kapjen e tyre.