Ky është momenti kur policia mësyn me forcë në një vilë në lagjen “10 Korriku” në Vlorë ku kultivohej kanabis. Pamjet, që i ngjasojnë filmave aksion, tregojnë momentin kur efektivët zbulojnë një sasi të konsiderueshme kanabisi që kultivohej me llamba. Në lidhje me këtë ngjarje ka rënë në pranga 38-vjeçari Lejdon Zahaj, i cili po ndiqej nga punonjësit e policisë pasi më herët gjatë ditës kishte tentuar që të vriste një person, po në Vlorë.
Në brendësi të vilës, agjentët sekuestruan 534 bimë narkotike të kultivuara në vazo, 11 kilogramë lëndë narkotike në formë boçeje, 5 ventilatorë, 4 aspiratorë, 3 kondicionerë, 100 reflektorë, 23 impiante ngrohëse, 69 llamba, 6 filtra ajri, 1 armë gjahu, 3 aparate celulare, 1 automjet dhe sende të tjera që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.
Policia e kishte nisur operacionin që prej orës 11:00 të së enjtes. Por kur shkuan pranë vilës, e cila është në pronësi të një personi me iniciale L.Xh, nuk kanë konstatuar asnjë person brenda. Për këtë arsye, nisur edhe nga dyshimet e tyre se brenda kultivohej drogë, agjentët kanë pritur dhe e kanë mbajtur nën vëzhgim duke mos ndërhyrë për momentin.
Por rreth orës 16:00, agjentët kanë konstatuar 38-vjeçarin Zahaj, i cili po ndiqej nga punonjësit e policisë pasi më herët kishte tentuar të vriste Defrim Pashajn në zonën e “Ujit të Ftohtë” pas një konflikti çasti. Zahaj është kapur në oborrin e vilës. Më pas, agjentët kanë hapur me forcë vilën dhe kanë zbuluar se kati i parë dhe kati i tretë i saj ishin përshtatur për kultivim kanabis.
Policia njoftoi se Zahaj është kunati i pronarit të vilës, pra shtetasit L.Xh, i cili është shpallur në kërkim. Në lidhje me këtë ngjarje janë vënë në pranga edhe dy persona të tjerë, një elektricist dhe një faturist i OSHEE-së së Vlorës.