Ty tituj të La Ligas dhe me mundësinë për të fituar të tretin dhe barazuar rekordin e Pep Guardiolës si trajneri i vetëm në historinë e Barçës që e ka fituar kampionatin tri herë radhazi, por që sërish janë arritje të pamjaftueshme për të siguruar vazhdimësinë në krye të “blauganave”.
Pas “El Mundo Deportivos”, që publikoi të dielën rezultatin e një studimi, sipas të cilit 80% e aksionerëve të Barcelonës janë kundër qëndrimit të Valverdes pas përfundimit të sezonit (klubi ka një klauzolë për të mos rinovuar kontratën), tani është “Sport” që nxjerr në dritë emrin e Thierry Henry, si kandidati më i mundshëm për të marrë drejtimin e katalanëve.
Aktualisht trajner i Montreal Impact në MLS, Henry, sipas “Sport” është në krye të listës për të pasuar Valverden.
Marrëdhënia e tij e mirë me Abidalin dhe me “peshat e rënda” të kampionëve në fuqi të Spanjës si dhe imazhi i mirë që ai përcjell si ambasadori i klubit, janë disa nga argumentet e përdorura nga një pjesë e bordit për të vënë bast tek francezi si trajner, edhe pse përvoja e tij në Monaco la për të dëshiruar.
Sa herë që një trajner i Barçës është në vitin e fundit të kontratës, nga janari flitet shumë për të ardhmen e tij. Opinioni i përgjithshëm është kundër vazhdimësisë së Valverdes, por në fund vendosin drejtuesit, në varësi të trofeve që do të fitojë skuadra dhe përkrahjes që do të ketë trajneri në dhomat e zhveshjes.
Champions League është pa dyshim trofeu që do të ketë peshën më të madhe në vendimin për të vijuar ose jo me të njëjtin trajner.