Mijëra qytetarë janë mbledhur nga e gjithë Shqipëria në bulevardin Dëshmorët e Kombit për të protestuar kundër rritjes së çmimeve. Protestës i janë bashkuar studentë, fermerë, aktorë dhe përfaqësues nga shoqëria civile.
Aktori Florjan Binaj tha se ndodhet në protestë për qytetarët e thjeshtë dhe ata që janë larguar nga vendi.
“Jemi këtu për qytetarët, gazetarët, kameramanët, shqiptarët e larguar nga vendi se në Shqipëri nuk ka vend për profesionistë por për patronazhistët. Jemi për pensionistët, mësuesit dhe të gjithë ata që punojnë me dinjitet dhe jetojnë në mizerje”, tha Binaj.
Një tjetër aktor që iu bashkua protestës ishte Irgen Çela i cili ftoi të gjithë personazhet publikë t’i bashkohen kësaj proteste popullore, sepse nuk është politike.
“Kjo është protestë e popullit dhe jo e partive politike. Edhe unë i ftoj të gjithë personazhet se para se të jemi VIP-a jemi qytetarë, jam për të gjithë ata pensionistë që nuk ndezin kaloriferin se i vjen fatura shtrenjtë, apo që nuk futen në market se janë rritur çmimet”.