Aktori dhe regjisori i njohur shqiptar, Genci Fuga ka pësuar një goditje në tru dhe po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale në një spital privat në Tiranë.
Pasi familjarë, miq e kolegë bënë me dije se artisti ka nevojë për mbështetjen financiare të të gjithë atyre që kanë mundësi, duket se dashamirësit e artistit janë përgjigjur pozitivisht.
“Nuk qenka e lehtë, por në këto momente e kam domosdoshmëri. Genci po kalon një periudhë të vështirë. Ka pësuar goditje në tru dhe në këto momente po bën ndërhyrje (në një spital privat). Do i lutesha të gjithë punonjësve të RTSH dhe kush mundet të kontribuojë për të ofruar një shumë prej 200 mijë lekë të rinj për të plotësuar koston prej 19 mijë euro të operacionit. Ndjesë dhe konsideratë”, shkruan bashkëshortja, aktorja Eni Jani.
Ndërkohë janë solidarizuar me aktoren Eni Janin, duke bërë thirrje për mbështetje, dhjetëra kolegë të Fugës, si Rozana Radi, Olta Daku, Arben Derhemi, Jozef Shiroka etj. Për afro dy orë siç bëri me dije aktorja, shuma është siguruar.
“Falënderoj çdonjërin nga ju për suportin dhe mbështetjen, për çdo fjalë dhe kontribut”, shkruan Eni Jani më pas, duke falënderuar dhe mjekët për përkushtimin.
Aktorja Suela Konjari po ashtu bëri thirrje për ndihmë në drejtim të krerëve të Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Shëndetësisë dhe të atyre që mund të mbështesin:
“Genci Fuga miku e partneri im në skenë, artisti e pedagogu i arteve, forca! Unë jam duke iu lutur Zotit për ty, që operacioni të dalë me sukses e ti të fitosh këtë betejë për t’u kthyer tek vajzat, Eni, publiku e ne të gjithë! I drejtohem znj.Ministre të Kultures znj.Elva Margariti e znj.Ministre të Shëndetësisë: ‘Artisti Genc Fuga ka nevojë ta mbështesni financiarisht për këtë operacion. Është e merituar dhe ju do të nderoni veten nëse jepni ndihmën financiare për të. Ju lutem miqve t’i bashkohen kërkesës sime”, shkruan Suela Konjari.
“Genci do ia dalë dhe do e shohim shpejtë në skenë!”, shkruan aktori Jozef Shiroka.
Janë me dhjetëra mesazhet solidarizuese në rrjetet sociale për kurimin e aktorit dhe pedagogut Genci Fuga.
“Të ndihmojmë të gjithë bashkë njeriun dhe artistin e mrekullueshëm Genci Fugën. Lutemi me ty me besimin që do të shërohesh shumë shpejt miku im”, shkruan regjisorja dhe aktorja Andia Xhunga.
Kanë qenë edhe vetë studentët ata që bënë apel për ndihmë financiare për të mbuluar koston prej 19 mijë eurosh të operacionit. Madje, teksa shprehin vlerësimin e tyre për të si artist në skenë, pedagog, por edhe në aspektin njerëzor treguan gatishmërinë për të kontribuuar financiarisht në kurimin e tij.
“Profesori është edhe miku im shumë i dashur. Dua sado pak të ofroj ndihmën time”, shkruan njëri prej tyre.
I lindur në Vlorë më 24 maj 1971 Genc Fuga ka interpretuar shumë role në skenën e Teatrit Kombëtar. Gjithashtu është dhe pedagog në Akademinë e Arteve.
Ai është i martuar me aktoren Enerjeta (Eni) Jani dhe është babai i dy vajzave.