Aktorja e njohur shqiptare, Adriana Matoshi ka marrë një tjetër çmim ndërkombëtar për rolin e saj në filmin më të ri “Zana”.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, regjisorja e filmit “Zana”, Antoneta Kastrati, ka publikuar lajmin se Adriana Matoshi, ka fituar çmimin “Aktorja më e mirë”, në festivalin Fantaspoa në Brazil për rolin e saj Lume, në filmin Zana.
Ajo shkruan: “Urime e dashur! Je një aktore fantastike! Jam me fat që pata mundësinë të punoj me ty. Jam shumë e lumtur për ty! Më shumë gjëra do të vijnë në të ardhmen.”
Edhe vetë aktorja e ka postuar lajmin në Instagram.
Filmi “Zana” është një film i zhanrit dramë, i publikuar në 2019-ën. Ai i përzgjodh si prurja kosovare për Best International Feature Film (92nd Academy Awards), por nuk u nominua.
Filmi “Zana” u përzgjodh pak kohë më parë si një ndër dhjetë filmat evropianë nga regjisore femra që do të shfaqen në kuadër të programit “Europe! Voices of Women in Film” në Sidnei.
“Zana” flet për një grua kosovare, e cila e ndikuar nga e kaluara e saj dhe nga presioni i familjes për të kërkuar një trajtim nga shëruesit mistikë për infertilitetin e saj, lufton pritshmëritë ndaj një gruaje për mëmësinë mes brutalitetit të kohës së luftës.